Me akademi solemne u shënua jubileu i 65-vjetorit të arsimit gjimnazist në Resnjë, si dhe festa e patronatit të shkollës së mesme komunale "Car Samoil". Ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska, në fjalimin e saj theksoi se përvjetorët janë mundësi për të kujtuar gjeneratat e të rinjve që këtu kanë fituar njohuri dhe shkathtësi për t'i aftësuar për jetën e ardhshme, por edhe për mësimdhënësit e tyre që i kanë udhëhequr në vite me përkushtim, durim dhe përgjegjësi.
„ Në këtë shkollë të mesme mësimi zhvillohet në tre gjuhë — maqedonisht, shqip dhe turqisht — dhe përmes projekteve dhe aktiviteteve të përbashkëta, nxënësit mësojnë t’i njohin dhe vlerësojnë dallimet, duke ndërtuar bashkëjetesë dhe besim. Të gjitha këto janë vlera të rëndësishme që të vazhdojmë ta ndërtojmë shtetin tonë si një shoqëri të drejtë, gjithëpërfshirëse dhe demokratike, në të cilën çdo i ri ka hapësirë të rritet dhe të kontribuojë,” tha Janevska. “.
Në kuadër të reformës në arsimin e gjimnazit, nga ky vit shkollor, nxënësit e vitit të parë punojnë sipas programeve të reja mësimore dhe me tekste të reja shkollore. Ministrja theksoi se, pas më shumë se 20 vitesh, Ministria ka ofruar qasje të re arsimore, e cila është e orientuar drejt përfitimit të njohurive të zbatueshme, zhvillimin e të menduarit kritik, integrimin e teknologjive digjitale dhe harmonizimin me standardet ndërkombëtare arsimore. Nga shtatori i ardhshëm, reforma në arsimin e mesëm do të vazhdojë në vitin e dytë.
„. Arsimi është përgjegjësia jonë e përbashkët. Do të ecë përpara vetëm nëse të gjithë ne, secili në fushën e tij të kompetencës, jemi në lartësinë e detyrës. Qeveria synon të rrisë fondet për arsimin dhe këtë vit kemi një buxhet rekord prej 38 miliardë denarësh, 6 herë më shumë se vitin e kaluar. Kjo do të thotë më shumë të holla për pagat e mësimdhënësve dhe mundësi për zhvillim në karrierë, më shumë të holla për investime në infrastrukturë, pajisje dhe materiale didaktike", theksoi ministrja Janevska.
Ajo i inkurajoi udhëheqësit e shkollave, mësimdhënësit dhe shërbimet profesionale që të vazhdojnë të edukojnë gjenerata të reja të të rinjve me njohuri, vlera etike dhe ndërgjegje
qytetare, të gatshëm që me përgjegjësi dhe në mënyrë të përbashkët ta ndërtojnë të ardhmen e vendit të tyre.