Janevska: Do ta optimizojmë rrjetin shkollor pa larguar nga puna mësimdhënësit

Janevska: Do ta optimizojmë rrjetin shkollor pa larguar nga puna mësimdhënësit

Asnjë mësimdhënës nuk do të largohet nga puna gjatë optimizimit të rrjetit shkollor. Në ligje parashikuam mundësi për ata mësimdhënës të cilët kanë mbetur pa nxënës, me pëlqimin e tyre, të angazhohen si asistentë arsimorë në periudhë prej një viti. Asgjë nuk bëhet me detyrim, vetëm në mënyrë transparente, me pëlqimin e kuadrit mësimor dhe në bashkëpunim me komunat, UNICEF-in dhe Bankën Botërore.

 

Këtë e theksoi ministrja e Arsimit dhe Shkencës, prof. dr. Vesna Janevska, duke iu përgjigjur pyetjeve parlamentare në Kuvend lidhur me optimizimin e rrjetit shkollor, proces për të cilin siç tha, duhej të ishte zbatuar shumë më herët, por Qeveria e LSDM-së nuk pati guxim ta realizonte.

"Dy të tretat e të gjitha objekteve shkollore në Maqedoni janë shkolla rajonale, por në to mësojnë vetëm 12% e numrit të përgjithshëm të nxënësve. Në rreth 100 objekte shkollore mësojnë më pak se 5 fëmijë. Ato detyrimisht duhet t’i integrojmë në shkollat më të mëdha, për shkak të socializimit dhe edukimit më të mirë në kushte më cilësore. Interesi i tyre më i mirë është arsyeja kryesore për optimizimin e rrjetit shkollor. Në plan të dytë është fakti se komunat do të kursejnë mjete financiare, të cilat më vonë mund t’i investojnë në infrastrukturë”, tha Janevska.

 

Ministrja ndau edhe të dhëna se gjatë 20 viteve të fundit numri i nxënësve është ulur me 28%, ndërsa numri i mësimdhënësve është rritur me 46%. Si rezultat i kësaj, mesatarja kombëtare ka rënë nga 18 nxënës për mësimdhënës në 11,4 nxënës për mësimdhënës, krahasuar me mesataren e OECD-së prej 15 nxënësish për mësimdhënës.

Accessibility Menu