KONKURS për tekste shkollore për arsimin e mesëm - gjimnaz

Ministria e arsimit dhe shkencës Ministria e arsimit dhe shkencës

Në mbështetje të nenit 12, paragrafit (2), të Ligjit për Tekstet Shkollore në Arsimin Fillor dhe të Mesëm („Gazeta Zyrtare e Republikës së Maqedonisë së Veriut“, nr. 3/25 dhe 74/25), Ministria e Arsimit dhe Shkencës – Shërbimi Pedagogjik, publikon:

 

KONKURS

për tekste shkollore për arsimin e mesëm - gjimnaz

 

1. KUSHTET E PËRGJITHSHME

Porositës: Ministria e Arsimit dhe Shkencës - Shërbimi Pedagogjik

Lënda e Konkursit për tekste shkollore: Grumbullimi i ofertave për dorëshkrime të teksteve shkollore, për miratimin dhe botimin e nga një teksti shkollor për lëndët mësimore në vijim:

- Gjuha Maqedonase dhe Letërsia për vitin e III (tretë) arsim i mesëm - gjimnaz;

- Gjuha Shqipe dhe Letërsia për vitin e III (tretë) arsim i mesëm - gjimnaz; dhe

- Gjuha Maqedonase për nxënësit e bashkësive të tjera për vitin e III (tretë) arsim i mesëm - gjimnaz.

1.1. Të drejtë pjesëmarrjeje në Konkursin për tekste shkollore kanë botuesit e teksteve shkollore në Republikën e Maqedonisë së Veriut, të cilët do të dorëzojnë dokumentacionin e nevojshëm, të përcaktuar në nenin 13 të Ligjit për Tekstet Shkollore në Arsimin Fillor dhe të Mesëm („Gazeta Zyrtare e Republikës së Maqedonisë së Veriut“, nr. 3/25 dhe 74/25).

1.2. Konkursi është publik, i hapur dhe anonim.

1.3. Në konkurs mund të marrë pjesë botues i tekstit shkollore vetëm me një dorëshkrim për një lëndë mësimore.

1.4. Autor i tekstit shkollor nuk mund të jetë person i punësuar në Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës, Byronë e Zhvillimit të Arsimit, Shërbimin Pedagogjik, Agjencinë Kombëtare për Programet Arsimore Evropiane dhe Mobilitetin, Inspektoratin Shtetëror të Arsimit, Qendrën për Zhvillimin e Arsimit Profesional, Qendrën Shtetërore të Provimeve, Qendrën për Arsimin e të Rriturve, Drejtorinë për Zhvillimin dhe Avancimin e Arsimit në Gjuhët e Pjesëtarëve të Bashkësive, kryetar, zëvendëskryetar dhe anëtar i Komisionit Kombëtar për Tekste Shkollore për Arsimin Fillor dhe të Mesëm si dhe kryetar dhe anëtar i komisionit recensues.

1.5. Dorëshkrimi i tekstit shkollor përgatitet në përputhje me planin mësimor dhe programin mësimor përkatës për vitin dhe lëndën mësimore përkatëse, si dhe me Konceptin për përgatitjen e tekstit shkollor.

1.6. Dorëshkrimi i tekstit shkollor duhet t’i plotësojë kushtet dhe standardet në përputhje me Konceptin për përpilimin e tekstit shkollor.

1.7. Dorëshkrimi i tekstit shkollor dorëzohet në 5 (pesë) ekzemplarë në formë të shtypur dhe 1 (një) ekzemplarë në formë elektronike (CD/USB), i përgatitur nga ana figurative dhe grafike, si dhe i redaktuar nga ana gjuhësore.

1.7.1. Dorëshkrimi i tekstit shkollor nuk duhet të përmbajë fotografi, ilustrime dhe përmbajtje të marra nga palë të treta, për të cilat botuesi nuk ka siguruar të drejtat e autorit për përdorimin e tyre.

1.7.2. Dorëshkrimi i tekstit shkollor nuk duhet të përmbajë mesazhe reklamuese, shpallje ose përmbajtje që nxisin diskriminimin mbi çfarëdo baze diskriminimi të parashikuar në Kushtetutën e Republikës së Maqedonisë së Veriut.

1.8. Botuesit i dorëzojnë dorëshkrimet e teksteve shkollore në gjuhën maqedonase dhe me alfabetin e saj cirilik.

1.9. Në rast se dorëshkrimi i tekstit shkollor miratohet, botuesi është i obliguar që në afat prej 15 ditëve nga dita e miratimit të dorëshkrimit, ta dorëzojë atë në formë elektronike pranë Shërbimit Pedagogjik, të redaktuar profesionalisht dhe të përpunuar në aspektin artistik dhe grafik, me qëllim të veprimit në përputhje me nenin 2, paragrafin (5), të Ligjit për Tekstet Shkollore në Arsimin Fillor dhe të Mesëm.

1.10. Të drejtat dhe detyrimet ndërmjet botuesit dhe Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës rregullohen me marrëveshje të ndërsjellë, përmes kontratës.

2. AFATET

2.1. Afati për dorëzimin e dorëshkrimeve të teksteve shkollore është përfundimisht deri më 20.01.2027.

3. DOKUMENTACIONI I KONKURSIT

3.1. Dokumentacioni i konkursit përmban: planin dhe programin mësimor për vitin dhe lëndën përkatëse, Konceptin për përpilimin e tekstit shkollor dhe Ligjin për Tekstet Shkollore në Arsimin Fillor dhe të Mesëm.

3.2. Dokumentacioni i konkursit mund të merret në hapësirat e Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës - Shërbimi Pedagogjik, në rrugën „Shën Kirili dhe Metodi“, nr. 54, Shkup, ose në lidhjet në vazhdim:

https://mon.gov.mk/content/?id=9963; https://mon.gov.mk/stored/document/Zakon%20za%20ucebnici%20mk.pdf https://bro.gov.mk/informacii/izvestuvanja/

4.DORËZIMI I DORËSHKRIMEVE PËR TEKSTE SHKOLLORE

4.1. Ofertat për dorëshkrimet e teksteve shkollore dorëzohen me postë të rekomanduar ose personalisht në zyrën administrative të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës - Shërbimi Pedagogjik, në adresën: rr. „Shën Kirili dhe Metodi“, nr. 54, Shkup, kati përdhes.

4.2. Në pjesën e përparme të dërgesës, në këndin e sipërm të majtë, duhet të shënohen: „MOS E HAPNI“ dhe „KONKURS PËR MIRATIMIN DHE BOTIMIN E TEKSTEVE SHKOLLORE“, titulli i dorëshkrimit për tekstin shkollor dhe viti, ndërsa në mes të dërgesës duhet të shënohet adresa: MINISTRIA E ARSIMIT DHE SHKENCËS – SHËRBIMI PEDAGOGJIK Rr. „Shën Kirili dhe Metodi“, nr. 54

4.3. Botuesit, në pakon e dorëzuar, mbi të cilën shkruhet „MOS E HAPNI“, duhet të dorëzojnë dorëshkrimin e tekstit shkollor në 5 (pesë) ekzemplarë në formë të shtypur dhe 1 (një) ekzemplarë në formë elektronike (CD/USB), i përgatitur nga ana figurative dhe grafike, si dhe i redaktuar nga ana gjuhësore dhe zarf të mbyllur, mbi të cilin gjithashtu shkruhet „MOS E HAPNI“, me të dhënat dhe dokumentet e mëposhtme:

- dëshmi për ushtrimin e veprimtarisë botuese të regjistruar prej së paku pesë vjetësh;

- të dhëna për numrin e telefonit, adresën elektronike dhe adresën e selisë;

- emrin dhe mbiemrin e saktë të autorit/autorëve;

- certifikatë ose diplomë për përfundimin e arsimit përkatës, në origjinal ose kopje të vërtetuar me vulë noteriale (autorët që kanë përfunduar arsimin jashtë vendit janë të detyruar të dorëzojnë edhe aktvendimin për njohjen e kualifikimit të huaj të arsimit të lartë, të lëshuar nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës);

-vërtetim për përvojën e punës së autorit/autorëve, të lëshuar nga Fondi i Sigurimit Pensional dhe Invalidor i Republikës së Maqedonisë së Veriut;

- deklaratë nga autori/autorët se i plotësojnë kushtet në përputhje me nenin 10 të Ligjit për Tekstet Shkollore në Arsimin Fillor dhe të Mesëm;

- deklaratë nga autori/autorët se dorëshkrimet janë kontrolluar nga aspekti përmbajtjesor dhe teknik, se informacionet e marra nga burime të tjera janë referencuar dhe se dorëshkrimet nuk përmbajnë plagjiaturë;

- nëse emri dhe mbiemri i autorit/autorëve ndryshon nga emri dhe mbiemri i shënuar në certifikatë ose diplomë për përfundimin e arsimit, duhet të bashkëngjitet dëshmi për përputhshmërinë e të dhënave;

- deklaratë për redaktimin gjuhësor të tekstit ose vërtetim për dhënien e provimit për lektor (në origjinal ose kopje të vërtetuar me vulë noteriale);

- deklaratë nga botuesi për sigurimin e të drejtave të autorit për ilustrimet e përfshira në dorëshkrim; dhe

- deklaratë nga botuesi se pajtohet që i gjithë dokumentacioni të publikohet për opinionin publik, në përputhje me Ligjin për Qasje të Lirë në Informacionet me Karakter Publik.

Të gjithë dokumentacionin nga kjo pikë, botuesit duhet ta dorëzojnë edhe në formë elektronike (CD ose USB), i cili do të vendoset në zarfin e mbyllur.

5. DISPOZITA PËRFUNDIMTARE

5.1. Ofertat për dorëshkrimet e teksteve shkollore, të cilat nuk do të dorëzohen brenda afatit të përcaktuar, si dhe ato që nuk janë përgatitur në përputhje me kushtet e këtij Konkursi, do të refuzohen / do të përjashtohen nga shqyrtimi.

Accessibility Menu