Në Universitetin „Goce Dellçev” në Shtip do të ndërtohet qendër universitare e integruar për sigurinë kibernetike, ndërsa fillimin e aktiviteteve e njoftuan sot ministrat e Arsimit dhe Shkencës dhe të Transformimit Digjital, Vesna Janevska dhe Stefan Andonovski, u.d e shefes së misionit të ambasadës së SHBA-së, Nikoll Varns, rektori Prof.Dr. Dejan Mirakovski dhe koordinatori i projektit Prof. Dr. Metodi Haxhi Janev.
Sipas ministres Janevska, në kohë kur digjitalizimi është i pranishëm në çdo segment të jetës, prioritet strategjik është investimi në sigurinë kibernetike dhe qëndrueshmërinë digjitale. Projekti, siç theksoi ajo, është pjesë e vizionit për krijimin e institucioneve dhe sistemeve më rezistente ndaj kërcënimeve, si dhe të kuadrove me njohuri dhe aftësi për t’u përballur me sfidat kibernetike.

"Është domethënëse që Maqedonia njihet si vend në rajon që ka kapacitetin të jetë i pari që zbaton këtë projekt dhe që në kuadër të Universitetit "Goce Delçev" në Shtip do të bëhet me qendër me të cilën do të lidhen Shqipëria dhe Mali i Zi. Kjo qendër, e cila do të bashkojë arsimin, kërkimin dhe mbrojtjen praktike kundër kërcënimeve kibernetike, e bën Maqedoninë një qendër rajonale për njohuri dhe kompetenca në fushën e sigurisë kibernetike", theksoi Janevska.
Ministria e Arsimit dhe Shkencës synon që në nivelet më të hershme arsimore të zhvillohet ndërgjegjësimi dhe zakonet digjitale te nxënësit. Siguria kibernetike është kompetencë themelore e shoqërisë moderne dhe për këtë arsye, nëpërmjet arsimit fillor dhe të mesëm, nxënësit gradualisht fitojnë njohuri të sistemuara dhe aftësi praktike, të cilat shërbejnë si bazë mbi të cilën më pas, në arsimin e lartë, mund të formohen individë dhe ekipe të gatshme për të forcuar qëndrueshmërinë digjitale kombëtare.
Si pjesë e aktiviteteve më të rëndësishme të MASH, të drejtuara drejt zhvillimit të programeve dhe iniciativave për forcimin e kapaciteteve për përballimin e kërcënimeve kibernetike, ministrja theksoi se, me mbështetjen e Ambasadës Kanadeze, është përgatitur Udhëzues për njohjen dhe parandalimin e dhunës kibernetike dhe përfitimin e aftësive për zbatimin e masave të sigurisë kibernetike. Ndërsa me mbështetjen e Qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar janë formuar klube për siguri kibernetike në 10 shkolla të mesme, duke përfshirë 150 nxënës të vitit të dytë dhe të tretë, si dhe mësimdhënës të TI-së dhe këshilltarë karriere, të cilët kanë ndjekur trajnime nëpër disa punëtori.
Së bashku me Fakultetin e Informatikës në Shtip, është përgatitur Udhëzues për inteligjencën artificiale, i dedikuar për mësimdhënësit dhe bashkëpunëtorët profesionalë, në të cilin përfshihet edhe mbrojtja nga keqpërdorimet. Në kuadër të trajnimeve të detyrueshme për mësimdhënësit, përballimi i kërcënimeve kibernetike mësohet përmes modulit të veçantë.

“Ministria e Arsimit dhe Shkencës, në fushën e infrastrukturës, çdo vit i rrit mjetet për pajisjen e shkollave me teknologji moderne TI dhe me rrjet interneti të sigurt. Deri tani, mbi 100 objekte shkollore janë pajisur me internet pa tela të sigurt, i cili parandalon sulmet kibernetike dhe nuk lejon qasje në faqe dhe aplikacione të paverifikuara dhe të papërshtatshme”, informoi ministrja.
Shprehu mirënjohje ndaj Byrosë për Evropën dhe Euroazinë pranë Ministrisë së Punëve Jashtme të SHBA-së për sponsorizimin e ndërtimit të qendrës, si dhe ndaj CRDF Global, i cili po e zbaton projektin, që është pjesë e Programit për siguri kibernetike dhe qëndrueshmëri digjitale të vendeve të Ballkanit Perëndimor.