Me fillimin e fushatës për ngritjen e vetëdijes publike për rëndësinë thelbësore të dijes dhe rolin e pazëvendësueshëm të mësuesve në shoqëri, Ministria e Arsimit dhe Shkencës shënon 5 Tetorin – Ditën Botërore të Mësuesve. Fillimi i fushatës me titull “Magjia është në dije” u shënua me dy diskutime paneli tematike të përkushtuara ndaj qasjes institucionale ndaj arsimit, statusit të mësimdhënësve, sfidave dhe nevojave të tyre, si dhe mënyrës se si shoqëria e vlerëson përkushtimin dhe ndikimin e tyre.
Në prani të rreth 100 përfaqësuesve të komunitetit akademik dhe mësimdhënës, ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Prof. Dr. Vesna Janevska, përfaqësuesja e UNICEF-it në Maqedoni, Lleslie Miller, Dekanja e Fakultetit të Pedagogjisë "Shën Kliment Ohridski" në Shkup dhe Kryetarja e Unionit të Edukatorëve të Maqedonisë, Lidija Nikollovska-Georgievska dërguan mesazh se mësimdhënësit janë heronjtë e kohës sonë. Ata nuk mbajnë petkun , por çdo ditë, me dashuri, durim dhe përkushtim, krijojnë magjinë e vërtetë - transmetojnë dritën e diturisë tek të rinjtë.
Duke i uruar të gjithë punëtorëve të arsimit festën e tyre, ministrja Janevska theksoi se janë jashtëzakonisht të rëndësishëm në formësimin e së ardhmes së fëmijëve tanë dhe të vendit dhe pikërisht për këtë institucionet së bashku me organizatat partnere përpiqen të përmirësojnë statusin e tyre social dhe ekonomik dhe t’ia rikthejnë dinjitetin profesionit të mësimdhënies.
Të jesh mësimdhënës nuk është vetëm profesion i zakonshëm. Mësimdhënësi është personi të cilit prindërit ia besojnë gjënë më të çmuar që kanë, për t'ia formësuar të ardhmen, përkatësishtë duke i transmetuar njohuri dhe aftësi që janë të zbatueshme, në hap me kohën, me shkencën, teknologjinë dhe nevojat e tregut të punës. Dhe pikërisht këtu fillon roli i politikave arsimore, të cilat duhet të sigurojnë mësimdhënës të përgatitur, të motivuar, me autoritet moral dhe intelektual, i cili do të arrijë ta fitojë besimin e nxënësve, për t'i intriguar dhe për t'i mundësuar atyre të realizojnë potencialin e tyre të plotë", tha Janevska.
Ministrja gjithashtu u shpreh se Qeveria do të vazhdojë me përkushtim ta mbështesë komunitetin e mësimdhënësve dhe të hapë mundësi të reja si për zhvillimin e tyre, ashtu edhe për përparimin dhe zhvillimin e sistemit arsimor maqedonas.
“Do të rikujtoj se gjatë 15 muajve të fundit, pagat e mësimdhënësve në shkolla janë rritur për 12%, ndërsa ato të profesorëve universitarë për 14%. Kemi mundësuar avancim në karrierë me
titujt këshilltar dhe mentor si për mësimdhënësit ashtu edhe për bashkëpunëtorët profesionalë. Kemi realizuar trajnime të shumta për zhvillim profesional dhe kemi përmirësuar ndjeshëm kushtet e punës me mbi 67 milionë euro të investuara në përmirësimin e infrastrukturës arsimore,” theksoi ministrja, duke shtuar se këto janë politika që sjellin përparim dhe kohë më të mira për mësimdhënësit në Maqedoni dhe se ato do të vazhdojnë të zbatohen dhe të zhvillohen më tej.
Në kuadër të ngjarjes së parë të fushatës “Magjia është në dije”, Ministria e Arsimit dhe Shkencës dhe Lidhja e Punonjësve Arsimorë të Maqedonisë ndanë edhe çmimet “Punonjësi arsimor i vitit” për vitin shkollor 2024/2025, të cilat, siç u theksua, përfaqësojnë një akt të njohjes publike, por edhe një simbol të angazhimit më të gjerë për ndërtimin e një shoqërie që në mënyrë aktive e mbështet dhe e vlerëson rolin e edukatorëve, mësuesve dhe bashkëpunëtorëve profesionalë.
Mirënjohjet iu ndanë Eleonora Kostoska Jovanoska – edukatore në IPKKF “Nasha Idnina” Prilep, Frosina Angelova – pedagoge në IPKKF “Majski Cvet” Shkup, Suzana Qeleshoska – mësimdhënës i grupit klasor SHF “Murat Llabunishti” në f. Labunishtë Strugë; Natasha Todorovska - mësimdhënës i grupit klasor në ShF " Gjorgji Sugarev" në Manastir, Maja Mitevska Poceva - mësimdhënës i grupit klasor në ShF "Vëllezërit Miladinov" në Probishtip, Pavlinka Veljanoska - mësimdhënës i arsimit muzikor në ShF"Goce Dellçev" në Negotinë, Milica Patraklieva - mësimdhënës i gjeografisë në ShF "Llazo Tërpovski" në Shkup. Anica B. Zllatevska - psikolog në ShF "Kole Kaninski" në Manastir dhe Jasmina Denkovska - mësimdhëbës i informatikës në ShMK e "Goce Dellçev" në Kumanovë.
Përveç porosive që do të ndahen përmes medieve dhe rrjeteve sociale rreth rëndësisë së mësimdhënësve dhe njohurive që ata përcjellin, fushata do të përfshijë edhe takime profesionale, diskutime në panel dhe punëtori përmes të cilave Ministria e Arsimit do të arrijë te çdo nxënës, prind dhe mësimdhënës, ndërsa të gjithë së bashku do t'i rikthejmë shkëlqimin dhe dinjitetin profesionit më të rëndësishëm.