Të gjithë jemi përgjegjës për rritjen e gjithëpërfshirjes në arsim, ndërsa Qeveria po zbaton politika konkrete dhe efektive të cilat në të ardhmen do të avancohen vazhdimisht.Këtë vit, me numrin më të madh të asistentëve arsimorë – rreth 1500 në të gjitha shkollat në mbarë vendin – po krijojmë mundësi të barabarta për mësim dhe zhvillim për të gjithë të rinjtë.
Këtë e theksoi ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Prof. Dr. Vesna Janevska, gjatë vizitës së sotme në Shkollën e Mesme me Qendër Burimore „Dimitar Vllahov“ në Kisella Vodë, ku ishte në vizitë së bashku me kryetarin e komunës, Orce Gjorgjievski si dhe zëvendësministrin për Politikë Sociale, Demografi dhe Rini, Gjoko Vellkovski dhe nxënësve iu shpërndanë uniforma shkollore.
„Fëmijët e kësaj shkolle, nga sot, kanë uniforma si të gjithë nxënësit e tjerë në territorin e komunës së Kisella Vodës. Një gjest i bukur nga kryetari Gjorgjievski, i cili dha premtim dhe e përmbushi atë, për çka i jam sinqerisht mirënjohëse. Këta janë fëmijët tanë, të barabartë me të gjithë të tjerët dhe ashtu duhet të trajtohen,” tha Janevska.
Ministrja rikujtoi se me ndryshimet ligjore, „Dimitar Vllahov“ është transformuar në shkollë të mesme me qendër burimore që nga 1 shtatori i këtij viti dhe se po e kryen shkëlqyeshëm funksionin e saj. Krahas organizimit të procesit edukativo-arsimor për 42 nxënës brenda vetë shkollës, ofron edhe asistencë arsimore në shkolla të tjera në territorin e Shkupit dhe rrethinës, ku ka nxënës me dëmtime të shikimit.