Avancohen masat parandaluese arsimore, të rinjtë në Maqedoni po e ndryshojnë perceptimin për duhanin

Avancohen masat parandaluese arsimore, të rinjtë në Maqedoni po e ndryshojnë perceptimin për duhanin

 

Në sistemin arsimor në Maqedoni prej kohësh është vendosur mekanizëm për parandalimin e përdorimit të substancave psikoaktive, por ai duhet të ndryshohet dhe të plotësohet, sepse po ndryshojnë edhe trendet në sjelljen e të rinjve-po zvogëlohet përdorimi i duhanit, por po rritet përdorimi i cigareve elektronike dhe ndaj kësaj duhet vepruar.

 

Këtë e theksoi ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Prof. Dr. Vesna Janevska, në pres konferencën e sotme në Ministrinë e Shëndetësisë, ku së bashku me Institutin e Shëndetit Publik u prezantua raporti më i fundit i Projektit Evropian për hulumtim në shkolla mbi përdorimin e substancave psikoaktive, i vitit 2024. Në dokument ka rekomandime që do të ndihmojnë në krijimin e politikave të ardhshme për rritjen e ndërgjegjësimit te të rinjtë mbi dëmet e substancave psikoaktive.

 

Do të ndaj me ju se temat që lidhen me kujdesin për shëndetin personal  janë të përfaqësuara në të gjitha klasat në lëndët e rregullta, veçanërisht në "shkencat natyrore". Megjithatë, për të rritur njohuritë shëndetësore, duke filluar nga ky vit shkollor, me mbështetjen e Organizatës Botërore të Shëndetësisë, kemi futur lëndë të re me zgjedhje  "Mësoj për shëndetin tim" në klasën e VII", theksoi Janevska.

 

Ministrja informoi gjithashtu se në fillim të këtij viti janë bërë ndryshime ligjore me të cilat shkollat fillore dhe të mesme kanë obligim që, krahas programeve për mbrojtje nga dhuna, parandalimin e diskriminimit, rritjen e tolerancës etj., detyrimisht të zbatojnë edhe programe për parandalimin e abuzimit me alkoolin, duhanin dhe substanca të tjera psikoaktive.

 

„Së bashku me Zyrën e Kombeve të Bashkuara për Drogë dhe Krim, në muajin tetor dhe nëntor të këtij viti realizuam trajnime për mësimdhënës dhe bashkëpunëtorë profesionalë në 50 shkolla fillore në Shkup, Strumicë, Shtip, Prilep, Koçan dhe Gostivar, të cilët do ta realizojnë programin parandalues “Aftësi për adoleshencë”. Bëhet fjalë për program të strukturuar, të bazuar në prova, i cili zbatohet në mbi 100 vende të botës dhe ka për qëllim t’i përgatisë të rinjtë që të mos i nënshtrohen presionit të bashkëmoshatarëve, përkatësisht  të bëjnë zgjedhje të shëndetshme dhe të mos përdorin substanca psikoaktive të dëmshme”, informoi ministrja.

 

Detyra jonë, potencoi Janevska, si udhëheqësi e re institucionale, është të vazhdojmë të punojmë në interes të gjeneratave të reja dhe në mbrojtje të shëndetit të tyre.

 

“Këtë edhe po e bëjmë dhe për këtë arsye alarmojmë publikisht për gjendje të caktuara, bashkojmë përpjekjet dhe kërkojmë përfshirjen e të gjithë faktorëve relevantë që mund të ndihmojnë në krijimin dhe zbatimin e politikave më të mira parandaluese”, u shpreh  ministrja.

 

Projekti Evropian për hulumtim në shkolla mbi alkoolin dhe drogat e tjera (ESPAD) është iniciativa më e vjetër hulumtuese në Evropë e dedikuar për monitorimin e trendeve të përdorimit të substancave te adoleshentët, themeluar në vitin 1995 nga agjencia aktuale për droga e Bashkimit Evropian (EUDA). Hulumtimi i fundit në Maqedoni u realizua në vitin 2024 në 96 shkolla të mesme dhe 182 paralele. U përfshinë 2831 nxënës, prej të cilëve 1397 ose 49,3% djem dhe 1434, ose 50,7% vajza.

 

Accessibility Menu