Arkivi Shtetëror i Maqedonisë dhe Shkolla Shtetërore për Rehabilitimin e Fëmijëve dhe të Rinjve me Shikim të Dëmtuar „Dimitar Vllahov“ - Shkup, kanë përgatitur katalogun „Dokumente që flasin përmes prekjes“, i cili u promovua sot, si pjesë e programit për shënimin e 35-vjetorit të pavarësisë së shtetit. Publikimi përmban dokumentet më të rëndësishme që ruhen në depot e Arkivit dhe në njësitë e tij rajonale, ndërsa nën çdo dokument është dhënë legjenda përkatëse në alfabetin Braj.
Në promovim mori pjesë edhe ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Prof. Dr. Vesna Janevska, e cila përshëndeti realizimin e kësaj ideje të përbashkët të dy institucioneve dhe theksoi se publikimi është urë ndërmjet së kaluarës dhe së tashmes, përkatësisht ndërmjet dokumenteve historike dhe njerëzve për të cilët ato deri më tani nuk kanë qenë plotësisht të qasshme.
„Arkivi Shtetëror ruan pasuri të madhe historike dhe dokumentare, e cila rrëfen për krijimin e shtetit maqedonas. Me këtë katalog, një pjesë e kësaj pasurie bëhet e qasshme edhe përmes alfabetit Braj – alfabetit të prekjes për personat me dëmtim të shikimit, të cilët do të mund t’i ndiejnë informacionet e përmbajtura në dokumentet autentike dhe ta përjetojnë historinë“, tha Janevska.
Ajo theksoi se historinë e ka krijuar dikush, ndërsa brezat e ardhshëm duhet ta njohin, ta kuptojnë dhe ta përcjellin atë. Por, që historia të jetë vërtet trashëgimi e përbashkët, ajo duhet të jetë e qasshme për të gjithë.
„Shoqëria gjithëpërfshirëse nuk ndërtohet vetëm me fjalë. Ajo ndërtohet me hapa konkretë që i largojnë barrierat dhe u mundësojnë të gjithë qytetarëve të mësojnë, të informohen, të hulumtojnë dhe të marrin pjesë në mënyrë të barabartë. Ky katalog heq një barrierë të tillë. Personave me shikim të dëmtuar u mundëson qasje të barabartë në histori dhe në trashëgiminë kombëtare“, shtoi ministrja.
Janevska shprehu pritshmëri se në të ardhmen do të botohen edhe publikime të tjera të tilla, sepse, siç tha ajo, ekzistojnë edhe shumë dokumente të tjera historike që meritojnë të jenë të qasshme për sa më shumë qytetarë, përfshirë edhe personat me shikim të dëmtuar.
„Dokumentet nuk duhet vetëm të ruhen. Ato duhet të jetojnë, të lexohen dhe të hulumtohen. Ndërsa me këtë publikim, ato sot fillojnë të flasin edhe në një mënyrë tjetër, por po aq të fuqishme – përmes prekjes“, tha ministrja e Arsimit dhe Shkencës.