“Inteligjenca artificiale nuk është më e ardhme për të cilën flasim teorikisht, ajo ngadalë, por me siguri po bëhet pjesë e çdo klase dhe e përditshmërisë së nxënësve. Çështja që hapim sot nuk është nëse ajo do të ndikojë në arsim, por si ne do ta drejtojmë atë proces,” theksoi ministrja e Arsimit dhe Shkencës Vesna Janevska në panel-diskutimin e sotëm nga fushata “Magjia është në dije”, kushtuar rolit të inteligjencës artificiale në arsim.
Ajo theksoi se Ministria e Arsimit dhe Shkencës i ndjek në mënyrë aktive trendet bashkëkohore arsimore, me fokus të veçantë në zhvillimin dhe zbatimin e inteligjencës artificiale në arsim, dhe në mënyrë të vazhdueshme realizon analiza dhe masa përmes qasjes sistematike, me qëllim përshtatjen në kohë dhe në thelb të sistemit arsimor. Theks i veçantë, siç potencoi ajo, i kushtohet edhe trajnimeve të vazhdueshme për stafin mësimor, në mënyrë që mësimdhënësit të jenë të përgatitur për mjetet e reja digjitale dhe ndryshimet në procesin mësimor.
Në panel-diskutimin “Klasa e së ardhmes: Inteligjenca artificiale, dija dhe roli i ri i mësimdhënësit ”, u diskutua për transformimin e procesit arsimor në epokën digjitale dhe sfidat e reja për mësimdhënësit dhe nxënësit.
Në ngjarje morën pjesë edhe profesorët Sasho Koceski nga Fakulteti i Informatikës pranë Universitetit “Goce Dellçev” në Shtip dhe Branisllav Gerazov nga Fakulteti i Elektroteknik dhe Teknologji Informative (FETI) pranë Universitetit “Shën Qirili dhe Metodi”, mësimdhënësja Maja Bozhinovska nga ShFK “Luben Llape” në Shkup, profesori Aleksandar Aleksovski nga SHMQSH “Maria Kiri Sklodovska” në Shkup, si dhe Aleksandar Çaminski, drejtor për partneritete strategjike në Breinster Grup.
Përfaqësuesit e komunitetit akademik theksuan se inteligjenca artificiale tashmë po e ndryshon mënyrën se si nxënësit i qasen dijes, por se sfida mbetet në zhvillimin e të menduarit kritik dhe përdorimin e duhur të mjeteve.
Nga perspektiva praktike, mësimdhënësit theksuan se nxënësit tashmë përdorin në mënyrë aktive mjetet digjitale, gjë që e bën procesin mësimor më interaktiv, por njëkohësisht kërkon edhe përshtatje të vazhdueshme të metodave të punës.
„ Fëmijët i përvetësojnë shumë shpejt teknologjitë e reja, por më e rëndësishmja është t’i udhëzojmë se si të mendojnë, e jo vetëm si të arrijnë te përgjigjja,” u theksua nga paneli.
Ndër pjesëmarrësit në panel-diskutim ishte edhe njëmbëdhjetëvjeçari Makedon Dimitrovski, nxënës në Shkollën Ndërkombëtare NOVA-Shkup, i njohur në opinion si fëmijë jashtëzakonisht i talentuar me interes për matematikë dhe gjuhë. Pjesëmarrja e tij i dha frymëzim shtesë diskutimit, si shembull se kurioziteti dhe dashuria për dijen zhvillohen që në moshë shumë të hershme, dhe se potenciali i fëmijëve mund të njihet dhe të nxitet që në fazë kur teknologjitë e reja, përfshirë inteligjencën artificiale, po e formësojnë gjithnjë e më shumë mënyrën e të mësuarit dhe zhvillimit të talenteve.
Panel-diskutimi hapi disa çështje kyçe, nga përdorimi i inteligjencës artificiale në arsim, duke pasur parasysh se nxënësit gjithnjë e më shpesh e përdorin atë në mësimin e përditshëm dhe në përgatitje jashtë mësimit, deri te nevoja për edukim të vazhdueshëm të stafit mësimor dhe ridefinimin e rolit të mësimdhënësit në epokën digjitale.
Panel-diskutimi i sotëm ishte i fundit, i gjashti me radhë, i cili gjatë periudhës së kaluar u mbajt në disa qytete të vendit, në kuadër të fushatës “Magjia është në dije”, i cili synon ngritjen e vetëdijes publike për rëndësinë thelbësore të dijes dhe rolin e pazëvendësueshëm të mësimdhënësve në shoqëri. Fushata filloi në mënyrë simbolike më 5 tetor – Dita Botërore e Mësuesve.
Gjatë të gjitha ngjarjeve u theksua nevoja për dialog të vazhdueshëm, shkëmbim përvojash dhe ndërtim të përbashkët të një sistemi arsimor që i ndjek ndryshimet, por mbetet fuqimisht i fokusuar në dijen dhe zhvillimin e nxënësve.