Ministrja e Arsimit dhe Shkencës, prof. dr. Vesna Janevska, sot mori pjesë në konferencën shkencore “Krijo në shtëpi, shit në tregun global”, me të cilën u shënua hapja e Parkut Teknologjik - N99. Duke biseduar në panelin e diskutimit kushtuar arsimit dhe transformimit digjital, vlerësoi se sistemi arsimor tashmë po transformohet në mënyrë aktive me qëllim që të rinjtë të përvetësojnë kompetencat e nevojshme të cilat do të jenë kyçe për ekonominë në të ardhmen. Janevska theksoi se Ministria e Arsimit dhe Shkencës është e përkushtuar ndaj ndjekjes së trendeve globale dhe integrimit të aftësive të shekullit 21 në procesin mësimor, duke filluar që nga arsimi fillor dhe i mesëm.
“Inteligjenca artificiale tashmë është realitet në klasa. Ministria, në bashkëpunim me fakultete shtetërore dhe private nga fusha e informatikës, ka hartuar udhëzues për zbatimin e inteligjencës artificiale, dedikuar mësimdhënësve, nxënësve dhe prindërve, me qëllim përdorimin etik dhe të sigurt të teknologjisë, mbrojtjen e të dhënave personale dhe njohjen e keqpërdorimeve. Në mënyrë paralele i trajnuam mësimdhënësit dhe tashmë ka mentorë në të gjitha shkollat që ua përcjellin njohuritë të tjerëve”, theksoi ministrja, duke shtuar se një numër i madh shkollash janë pajisur me teknologji moderne dhe internet të sigurt, proces i cili do të vazhdojë edhe në periudhën e ardhshme.
Janevska tha se Maqedonia në mënyrë aktive i bashkohet përpjekjeve globale për zbatimin e përgjegjshëm të inteligjencës artificiale, duke rikujtuar se vendi ka nënshkruar Konventën Kornizë të Këshillit të Evropës për inteligjencën artificiale. Duke iu referuar ndikimit të inteligjencës artificiale në tregun e punës, ministrja tha se transformimi i vendeve të punës është i pashmangshëm, por se ekzistojnë profesione si mësimdhënësit dhe mjekët që do të mbeten të pazëvendësueshëm.
Në raport me zhvillimin teknologjik të vendit, Janevska tha se Maqedonia tashmë ka miratuar Strategjinë për Specializim Inteligjent me mbështetjen e BE-së, në të cilën janë definuar katër fusha prioritare – bujqësia inteligjente, ndërtimtaria inteligjente, turizmi dhe sektori i IT-së.„
“Vendosëm të sigurojmë buxhet rekord për projektet shkencore-kërkimore të universiteteve, fakulteteve, ASHAM-it dhe komunitetit të biznesit, të cilat janë të lidhura me qëllimet e Strategjisë për Specializim Inteligjent. Për dy vite i kemi dyfishuar mjetet për shkencën dhe pres që ky trend të vazhdojë”, theksoi Janevska.
Duke folur për rolin e parqeve shkencore-teknologjike dhe qendrave kërkimore, ministrja potencoi se ato përfaqësojnë hallkë kyçe në lidhjen e arsimit, shkencës dhe sektorit të biznesit dhe në këtë drejtim, Qeveria tashmë po punon në mega projekt për themelimin e parkut të parë shtetëror shkencor-teknologjik, i cili, sipas planeve fillestare, duhet të fillojë punën vitin e ardhshëm.