Janevska: Qeveria është e fokusuar në zhvillimin e shkencës, në vitin 2026 prioritet është themelimi i parkut të parë shtetëror shkencoro-teknologjik

Janevska: Qeveria është e fokusuar në zhvillimin e shkencës, në vitin 2026 prioritet është themelimi i parkut të parë shtetëror shkencoro-teknologjik

Qeveria e Maqedonisë është fuqishëm e përkushtuar në mbështetjen dhe zhvillimin e veprimtarisë shkencoro-kërkimore, sepse vlerësojmë se ajo është themeli për zhvillimin e tërë shoqërisë. Kemi bërë shumë në perudhën e kaluar, ndërsa prioriteti kryesor strategjik për vitin 2026 do të jetë themelimi i parkut të parë publik shkencoro-teknologjik, iniciativë që do ta forcojë infrastrukturën kërkimore dhe do të shënojë fillimin e një epoke të re të zhvillimit teknologjik dhe inovacioneve në vendin tonë.

Këtë e theksoi ministrja e Arsimit dhe Shkencës, prof. dr. Vesna Janevska, në panelin e diskutimit me temë “Infrastruktura kërkimore – motor i trekëndëshit të dijes: përvoja dhe praktikat më të mira”, organizuar në kuadër të takimit ministror dyditor të vendeve të Ballkanit Perëndimor për kërkime dhe inovacione, e cila po mbahet në Podgoricë, Mal i Zi, ku merr pjesë së bashku me ministrin për transformim digjital, Stefan Andonovski.

“Infrastruktura kërkimore nuk është vetëm hapësirë fizike apo pajisje teknologjike. Ajo është themeli i dijes, katalizator për inovacione dhe urë lidhëse mes arsimit dhe botës reale.Për të funksionuar mirë, duhet të jetë disiplinare, e mbështetur nga partneritete publike dhe private dhe, më e rëndësishmja – e lidhur ndërkombëtarisht. Ky është fokusi ynë aktual, pas një sërë ndryshimesh dhe masash sistemore që mbështesin veprimtarinë shkencore”, tha ministrja Janevska.

Ministrja informoi se Qeveria, në dy raste të fundit ka investuar 9,7 milionë euro në 103 projekte kërkimore-shkencore të dedikuara për zhvillimin e burimeve laboratorike, duke veçuar laboratorin AMBICON në Universitetin “Goce Dellçev” si partner bashkëkohor për mbrojtjen e mjedisit jetësor dhe sigurinë në punë. Rikujtoi se janë themeluar 7 qendra për transfer të teknologjive dhe 5 inkubatorë teknologjikë, duke theksuar punën e Qendrës Evropiane për Inovacione Digjitale – INNOFEIT pranë Universitetit “Shën Kirili dhe Metodi” në Shkup, e cila është themeluar me financim të pjesëmarrjes së barabartë nga vendi dhe Bashkimi Evropian.

“Me kënaqësi të madhe njoftoj se javën e kaluar Bashkimi Evropian vendosi që Maqedonia përmes projektit ‘Vezilka’ të UKM-së, të bëhet pjesë e rrjetit evropian të qendrave për inteligjencë artificiale, që paraqet hap të rëndësishëm drejt përforcimit të kapaciteteve digjitale kombëtare dhe integrimit në infrastrukturën kërkimore-inovuese evropiane”, theksoi Janevska, duke shtuar se ky projekt me vlerë 6 milionë euro do të mundësojë qasje në superkompjuterët evropianë, do të nxisë zhvillimin e kapitalit njerëzor përmes trajnimeve dhe do të ofrojë mbështetje për kompanitë, studiuesit dhe institucionet në përdorimin e zgjidhjeve të avancuara të IA-së.

Ministrja në fjalimin e saj theksoi gjithashtu se së fundmi në Maqedoni është themeluar edhe një institucion i ri publik i pavarur– “INOVA”, i cili do të shërbejë si organ qendror për mbështetjen e inovacioneve dhe ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme, dhe do të luajë rol kyç në zbatimin e Strategjisë për Specializim Inteligjent.

Sa i përket Strategjisë, ministrja theksoi se ofron kornizë ideale për tejkalimin e sfidave në zbatimin e dy proceseve të rëndësishme paralele – transformimit të gjelbër dhe atij digjital të shoqërisë. Siç u shpreh ajo, ky dokument strategjik nxit bashkëpunimin midis institucioneve të sistemit, institucioneve arsimore, sektorit të biznesit dhe shoqërisë civile, ndërsa krijimin e inovacioneve e orienton drejt prioriteteve ekologjike dhe digjitale.

Gjatë takimit ministror dyditor, përveç diskutimeve mbi mundësitë për zhvillimin dhe ndërlidhjen e infrastrukturës kërkimore të vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe efektivitetin e strategjive kombëtare për specializim inteligjent, po diskutohen edhe për Planin për rritje të vendeve të rajonit, si dhe për zbatimin e inteligjencës artificiale në shkencë dhe kërkime.

Është parashikuar që ministrja Janevska të zhvillojë takime bilaterale me eurokomisioneren për kërkime dhe inovacione, Ekaterina Zaharieva, drejtoreshën e Qendrës Kërkimore të Përbashkët të Komisionit Evropian, Sabine Hencler, kryetaren e Rrjetit Evropian për Bashkëpunim në fushën e kërkimeve dhe teknologjisë (COST), Ace Gornicka, dhe me ministren malazeze për Arsim, Kërkime dhe Inovacione, Angela Jakshiq Stojanoviq.

Accessibility Menu