Janevska u takua me Kristof Kamp - Komisionerin e Lartë të OSBE-së për Pakicat Kombëtare

Janevska u takua me Kristof Kamp - Komisionerin e Lartë të OSBE-së për Pakicat Kombëtare

Ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Prof. Dr. Vesna Janevska, realizoi  takim me Komisionerin e Lartë të OSBE-së për Pakicat Kombëtare, ambasadorin Kristof Kamp. Në takim u diskutua për bashkëpunimin me OSBE-në dhe për mbështetjen që kjo Organizatë ofron në fushën e arsimit.

 

Janevska i prezantoi zgjidhjet ligjore dhe masat që zbaton Ministria për realizimin e të drejtave arsimore dhe gjuhësore të pjesëtarëve të bashkësive, avancimin e integrimit ndëretnik, si dhe respektimin e diversitetit kulturor dhe gjuhësor në shkolla.

 

Mësimi në arsimin fillor zhvillohet në pesë gjuhë, ndërsa në arsimin e mesëm në katër gjuhë. Në arsimin fillor, përmes lëndës me zgjedhje  „Gjuha dhe kultura e bashkësive”, nxënësit kanë mundësi të mësojnë gjuhën dhe kulturën e bashkësisë së tyre. U prezantua edhe puna e ekipeve për integrimin shkollor në shkollat fillore, si dhe mbështetja e MASH-it për organizimin e orëve të përbashkëta mësimore dhe aktiviteteve që bashkojnë nxënësit të cilët ndjekin mësimin në gjuhë të ndryshme.

 
Vëmendje e veçantë iu kushtua politikave publike arsimore për romët në arsimin fillor, të mesëm dhe të lartë. Janevska theksoi rolin e ndërmjetësuesve arsimorë romë në mbështetjen e regjistrimit dhe vijimit të rregullt të mësimit në shkollat fillore dhe të mesme, si dhe rëndësinë e bursave për nxënësit e shkollave të mesme dhe studentët romë, për  vazhdimin e arsimimit të tyre.

Accessibility Menu