Janevska në promovimin e gjeneratës së re të diplomuarve në Universitetin „Nënë Tereza”

Janevska në promovimin e gjeneratës së re të diplomuarve në Universitetin  „Nënë Tereza”

 

Urime të sinqerta për të gjithë ju që sot bëheni zyrtarisht qytetarë me arsim akademik. Ju jeni krenaria e familjeve tuaja, e profesorëve tuaj dhe e shtetit. Nga ju presim pjesëmarrje aktive në jetën shoqërore dhe kontribut në zhvillimin e Maqedonisë. Ne besojmë në dijen tuaj, por edhe në energjinë, kreativitetin dhe dëshirën tuaj për sukses. Pikërisht këto cilësi janë shtytësi i ndryshimeve dhe i përparimit.

Këtë e theksoi ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Prof. Dr. Vesna Janevska, në ceremoninë e sotme në Universitetin “Nënë Tereza” në Shkup, ku u promovua gjenerata e re e studentëve të diplomuar.

 „Ecni me guxim përpara. Përfshihuni në tregun e punës, kontribuoni në zhvillimin e kompanive ekzistuese ose krijoni vlera të reja përmes ideve tuaja dhe iniciativave sipërmarrëse. Një pjesë prej jush do të zgjedhë rrugën e shkencës. Maqedonia ka nevojë për kuadër të ri kërkimor-shkencor dhe për këtë arsye, përmes një sërë masash sistemore po punojmë për krijimin e kushteve më të mira për zhvillimin e tij, përparimin dhe afirmimin ndërkombëtar,” tha Janevska.

Ministrja uroi gjithashtu profesorët për, siç tha ajo, përkushtimin e tyre, për dijen, përvojën, kohën dhe durimin e transmetuar.

 „Me shumë prej jush kemi bashkëpunim të përbashkët në aktivitete të drejtuara drejt avancimit  të arsimit të lartë dhe shkencës. Më vjen veçanërisht mirë që kemi punuar së bashku në përgatitjen e rregullativës së re ligjore në këtë fushë, e cila së shpejti do të gjendet para deputetëve. Jam e bindur se me vizion të përbashkët dhe përkushtim do të krijojmë sistem më konkurrues dhe më cilësor të arsimit të lartë dhe veprimtarisë kërkimore-shkencore, theksoi Janevska.

Ajo shtoi se ky është universiteti shtetëror më i ri në vend dhe meriton mbështetje ashtu siç e kanë marrë edhe të gjitha universitetet shtetërore gjatë themelimit të tyre, por edhe se tashmë po e merr këtë mbështetje. Qeveria ka siguruar mjete për ndërtimin e një kampusi të ri universitar, i cili pritet të përfundojë plotësisht brenda një periudhe prej 5 vitesh.

Accessibility Menu