Janevska në hapjen e garës së robotikës edukative "First Lego League 2025-2026 - UNEARTHED Challenge"

Janevska në hapjen e garës së robotikës edukative "First Lego League 2025-2026 - UNEARTHED Challenge"

Ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Prof. Dr. Vesna Janevska, mbajti fjalim në hapjen e garës së nxënësve së robotikës edukative "First Lego League 2025-2026 UN-EARTHED Challenge", e cila mbahet sot dhe nesër në Shkup, ndërsa marrin pjesë 36 ekipe me mbi 400 nxënës të moshës prej 9 deri në 16 vjeç dhe 50 mentorë nga shkollat komunale dhe private, si dhe nga qendrat arsimore në Maqedoni.

 

Në fjalimin e saj ministrja Janevska theksoi se mbështet çdo ide në bazë të së cilës është inkurajimi i kreativitetit, inovacionit, shkathtësisë, lidershipit dhe shpirtit konkurrues tek të rinjtë. Siç tha ajo, Maqedonisë i nevojiten gjenerata të cilët do të jenë të motivuara në vazhdimësi t’i avancojnë dhe fitojnë njohuritë dhe aftësitë që t'i zbatojnë në krijimin e përgjigjeve ndaj sfidave shoqërore.

 

“Ky aktivitet përputhet plotësisht me politikat kombëtare arsimore për promovimin më të madh të fushave STEM, afrimin e tyre me të rinjtë dhe orientimin e tyre që të zgjedhin të merren me shkencë, hulumtime dhe inovacione. Pse janë politikat të tilla? Sepse e vetmja gjë me të cilën mund të konkurrojmë me botën është dijenia e qytetarëve dhe përdorimi i tyre intelegjent për zhvillimin e inovacioneve”, tha ministrja.

 

Ministrja shtoi se vendi nuk ka burime të mëdha natyrore, prandaj edhe Qeveria është fokusuar ndaj modernizimit të përshpejtuar të sistemit arsimor, me theks të veçantë në arsimin profesional, ofertë më të mirë arsimore për qytetarët dhe në rritjen e investimeve në shkencë.

 

Duke u uruar sukses të gjithë pjesëmarrësve, Janevska tha se institucionet do të vazhdojnë të mbështesin punën e të rinjve dhe zhvillimin e potencialit të tyre, si dhe pret që politikat kombëtare të sigurojnë arsim më cilësor për gjenerata edhe më të përgatitura.

 

Gara po mbahet për të tretin vit radhazi, në organizimin e Akademisë për Robotikë dhe Inovacione, nën patronazhin e UNESCO-s. Këtë vit sfida është “UNEARTHED” – të rinjtë përdorin teknologjinë Lego për krijimin e zgjidhjeve inovative robotike të cilat do t’i ndihmojnë arkeologët të hulumtojnë më lehtë vendet arkeologjike. Ekipet fituese do të marrin pjesë në garën botërore.

Accessibility Menu