Gjëja më e mirë që mund të bëjmë për fëmijët tanë dhe për të ardhmen tonë është që vazhdimisht të rrisim mjetet për veprimtarinë kërkimore-shkencore, ta rregullojmë këtë fushë me rregulla dhe standarde të qarta përmes Ligjit të ri për Veprimtari Kërkimore-Shkencore, ndërsa me Programin e ri Kombëtar për veprimtari kërkimore-shkencore të rregullojmë shpërndarjen e mjeteve dhe të lidhim institucionet, hulumtuesit dhe industrinë, tha ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska, në konferencën shkencore të organizuar nga Instituti i Letërsisë Maqedonase pranë Universitetit “Shën Kirili dhe Metodi”.
Instituti, gjatë periudhës së kaluar njëvjeçare, realizoi projektin shkencor-kërkimor “Trauma në letërsi”, i mbështetur financiarisht nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës, në kuadër të ndarjes së mjeteve për financimin e projekteve shkencore-kërkimore të fakulteteve shtetërore, instituteve shkencore dhe ASHAM-i në vitin 2025.
Prioritet është krijimi i kornizës së plotë për mbështetjen e shkencës, me laboratorë bashkëkohorë, fonde për inovacion, programe për hulumtues të rinj dhe rregullore të qarta që garantojnë transparencë, përgjegjësi dhe sukses.
“Konkretisht, buxhetin për shkencën nga viti 2024 e kemi rritur dyfish në vitin 2026 dhe tani kemi mbi 770 milionë denarë, prej të cilave pjesa më e madhe është e dedikuar për financimin e projekteve shkencore-kërkimore me interes kombëtar. Kemi përgatitur Propozim-Ligj të ri për Veprimtari Kërkimore - Shkencore , i cili së bashku me propozim ligjet për arsimin e lartë dhe për sigurimin e cilësisë në arsimin e lartë, së shpejti do të gjendet para deputetëve. Bazat Web of Science dhe Scopus janë të qasshme falas për të gjithë shkencëtarët dhe hulumtuesit nga institucionet publike të arsimit të lartë dhe ato shkencore, ndërsa programet ndërkombëtare për shkencë, si Horizont, mbeten të hapura për vendin tonë”, theksoi ministrja e Arsimit dhe Shkencës.
Janevska theksoi se investimi në shkencë përfshin edhe krijimin e kushteve për zhvillimin e brezit të ri shkencor, përmes trajnimeve dhe programeve për zhvillim profesional të komunitetit të mësimdhënësve, në mënyrë që të mund të ndryshohet mënyra se si të rinjtë e përjetojnë shkencën.
Me konferencën shkencore u shënua edhe jubileu – 45 vjetori i themelimit të Institutit të Letërsisë Maqedonase.