Kuzhinier me reputacion ndërkombëtar, nga rajoni dhe Evropa, nga data 12 deri më 17 tetor mbajnë master-klasë në Strumicë, ku marrin pjesë nxënës dhe studentë të hotelerisë. Sekretari shtetëror në Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës, Elena Ivanovska, tha se kjo është mundësi e mirë të mësojnë nga më të mirët dhe të fitojnë jo vetëm aftësi kuzhinierike, por edhe disiplinë, kreativitet dhe gjithçka tjetër që i karakterizon kuzhinierët e mirë.
“Në kuadër të reformës për arsim më cilësor, përkushtimi ynë është që çdo fëmijë të ketë mundësinë të zhvillojë potencialin e tyre. Të rinjtë që vendosin të kualifikohen si kuzhinierë profesional, në kuadër të arsimit dual, krahas njohurive teorike, kanë mundësinë edhe për punë praktike, ku është e disponueshme edhe mbështetja përmes ndarjes së bursave,” theksoi Ivanovska.
Në master-klasa, të rinjtë fitojnë njohuri praktike dhe Ivanovska falënderoi Gastromak-un dhe subjektet tjera shoqërore-përgjegjëse për mbështetjen që u ofrojnë nxënësve në shkollat hotelierike.
Profesioni i kuzhinierit, kuzhina dhe gastronomia po bëhen gjithnjë e më atraktive në Maqedoni, ku ushqimet tradicionale, përbërësit lokalë dhe teknikat e përgatitjes së ushqimit njihen si resurse strategjike në kuadër të Strategjisë Kombëtare për Specializim Inteligjent. Prandaj, siç theksoi Ivanovska, është e rëndësishme të investohet në arsimimin e këtyre ambasadorëve të rinj të Maqedonisë, të cilët do t’i mësojmë dhe trajnojmë që përmes ushqimit të tregojnë historinë e bukurive të pafund të vendit dhe ta pozicionojnë atë si destinacion të dëshiruar gastronomik.
“Më lejoni t’ua rikujtoj rëndësinë dhe përkushtimin tim për qëndrimin e kuadrove të reja profesionale në Maqedoni, sepse askund nuk mund të jetë më mirë se në shtëpi. Si Qeveri, punojmë me përkushtim për të ngritur standardin dhe cilësinë e jetës në vend, por e ardhmja e këtij vendi është në duart tona. Të gjithë ne duhet t’i inkurajojmë të rinjtë profesionistë se edhe në vendin e tyre mund të arrijnë sukses, njohje dhe përmbushje, veçanërisht nëse gatuajnë me dashuri dhe kreativitet,” tha Ivanovska.
Gastromak është shoqatë kombëtare e kuzhinierëve dhe punonjësve të hotelerisë në Maqedoni, e cila është anëtare e Federatës Botërore të Kuzhinierëve – WAKS.