Nxënësit e Shkollës Fillore „Goce Dellçev” në fshatin Piravë të Vallandovës do ta ndjekin mësimin në kushte bashkëkohore pasi objekti është rikonstruktuar tërësisht. Bëhet fjalë për investim prej 322.600 dollar i siguruar nga Komanda Ushtarake Evropiane e SHBA-së përmes Programit të Ndihmës së Jashtme Humanitare dhe Civile ndërsa Ministria e Arsimit dhe Shkencës dhe komuna kanë siguruar dokumentacionin e nevojshëm dhe mbikëqyrjen e ndërtimit.
Me rastin e përfundimit të aktivitetit investues, shkollën sot e vizitoi ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Prof.Dr.Vesna Janevska, zëvendës ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Maqedoni, Nikol Varns dhe zëvendës shefi i Zyrës për Bashkëpunim Mbrojtës në Ambasadë, Major Daniel Silver. Ata pajtohen se arsimi është segmenti social më i rëndësishëm që përcakton progresin e përgjithshëm të vendit.
“Pashë se si dukej ky objekt më parë dhe shoh se në çfarë është shndërruar sot. Jam e lumtur që fëmijët e këtij vendbanimi kanë marrë kushte që duhet t`i kenë të gjithë nxënësit në vend. Në një mjedis të bukur shkollor, energjia është e ndryshme. Rritet entuziazmi,inkurajohet dëshira për mësim dhe shkencë, rritet motivimi për punë dhe mësimdhënie kreative”, theksoi Janevska duke i përgëzuar kryesinë komunale, punonjësit e shkollës dhe banorët.
“Duke qenë se SHBA-ja ka dhënë kontribut jashtëzakonisht të rëndësishëm në renovimin e objektit të shkollës, është e rendit që bashkërisht t`u shprehim mirënjohjen tonë të thellë. Ata janë partneri ynë strategjik për më shumë se 3 dekada. Kanë dhënë kontribut të madh në zhvillimin e disa aftësive te nxënësit tanë, si ato digjitale, gjuhësore, sipërmarrëse, shkrim-leximi mediatik etj. Sigurisht që ky nuk është investimi i parë infrastrukturor në arsim nga populli amerikan dhe jam e bindur se nuk do të jetë i fundit”, theksoi ministrja.
Ministrja shtoi se kemi nevojë për miq, sepse, siç tha, bashkë me ta arrihen më lehtë qëllimet dhe interesat kombëtare.
"Avancimi i infrastrukturës arsimore është ndër prioritetet kryesore të qeverisë. Këtë e mbështes me faktin se tani si qeveri kemi një cikël investimi prej 32 milionë euro, me të cilin po ndërtojmë 7 objekte të reja shkollore, rikonstruktojmë 20, ndërtojmë 4 salla të reja sportive dhe rinovojmë dy konvikte studentore. Është planifikuar edhe vendosja e sistemeve fotovoltaike në rreth 50 shkolla”, shtoi Janevska.
Ajo gjithashtu u informoi se në fund të këtij dhe në fillim të vitit të ardhshëm kalendarik do të fillojnë investime shumë më të mëdha, në përgjithësi që kanë të bëjnë me arsimin e lartë, por do të vazhdojnë edhe investimet në arsimin fillor dhe të mesëm.
“Derisa e shënojmë 30 vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike ndërmjet Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Maqedonisë së Veriut, është e përshtatshme që të mblidhemi pikërisht në një shkollë. Sepse arsimi ka qenë gjithmonë në qendër të partneritetit tonë. Jo sepse bëhet lajm, por sepse bën ndryshim. Investimi në arsim do të thotë të investosh te të rinjtë. Ndërsa të investosh te të rinjtë do të thotë të investosh në të ardhmen që duam ta ndërtojmë – së bashku”, tha zëvendës-ambasadorja e SHBA-së, Nikol Varns.