Ministria e Arsimit dhe e Shkencës dhe Byroja për Zhvillimin e Arsimit tashmë kanë filluar zbatimin e programeve mësimore që zhvillojnë të menduarit kritik dhe shkrim-leximin mediatik tek fëmijët e vegjël, që është bazë për zhvillimin e një shoqërie të shëndetshme demokratike.
Kështu deklaroi ministrja e Arsimit dhe e Shkencës Milla Carovska, sot me rastin e javës së shkrim-leximit mediatik në një manifestim ku u nënshkrua Memorandumi për realizimin e projektit të USAID-it, “Të rinjtë mendojnë”.
“Futja e arsimimit mediatik në programet e reja mësimore që po zbatohen nga ky vit shkollor duhet të ndihmojë në krijimin e gjeneratave që kanë më shumë njohuri dhe mjete për t`u marrë me lajmet e rreme. Pikërisht kjo është veçori e një shoqërie të fortë demokratike, ndër të tjera, që qytetarët të kenë qasje në informata të sakta dhe me kohë”, tha Carovska.
Ministrja theksoi se me Konceptin e ri, arsimimi mediatik mësohet si temë më vete në programet mësimore në gjuhën amtare. Por kurdoherë që është e mundur mësimdhënësi do të integrojë shkrim-leximin mediatik me temat dhe fushat e tjera në mënyrë që t`u mundësojë nxënësve të lidhin njohuritë nga fushat e ndryshme në një tërësi.
Në vitin shkollor 2021/2022 programet e reja filluan të realizohen në klasën e parë dhe të katërt, kurse në këto dy klasa mësohet mësimi i shkrim-leximit mediatik dhe gradualisht do të futet në plan programet e reja për klasat e tjera.
“Ne besojmë në këtë koncept, sepse qytetarët me vetëdije kritike mund të marrin pjesë aktivisht në debatet publike dhe të ndikojnë në ndryshim”. “Qytetarët e tillë inkurajojnë institucionet në transparencë dhe llogaridhënie më të madhe, gjë e cila është e nevojshme për përparimin e shoqërisë që kujdeset për të gjithë dhe për rritjen dhe zhvillimin ekonomik të vendit”, tha ministrja e Arsimit dhe e Shkencës Milla Carovska.
Projekti për shkrim-lexim mediatik në Republikën e Maqedonisë së Veriut do të zbatohet nga organizata amerikane IREX, e cila do të aftësoj të gjithë metodologjinë me kushtet lokale. Partnerë në projekt janë Ambasada Amerikane, BZH dhe MIM.