Delegacioni i Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës i kryesuar nga sekretari shtetëror Elena Ivanovska mori pjesë në takimin e 24-të të komitetit të përbashkët të Programit të Shkëmbimit të Evropës Qendrore në fushën e studimeve universitare (CEEPUS), i cili u mbajt në Budapest në organizim të Ministrisë së Kulturës dhe Inovacionit të Hungarisë dhe Zyrës Qendrore CEEPUS në Vjenë.
Në takim u diskutua për efektivitetin dhe perspektivat e deritanishme të programit, mundësitë për zgjerimin e kuotave të lëvizshmërisë së vendeve nënshkruese aktuale, si dhe për zgjerimin e programit me vende të reja pjesëmarrëse.
Ivanovska në fjalën e saj theksoi se ky program për shkëmbimin e njohurive dhe përvojave është jashtëzakonisht i rëndësishëm për Maqedoninë, veçanërisht në periudhën aktuale të reformave kur arsimi kombëtar po i përshtatet me shpejtësi trendeve arsimore botërore.
"Numri i institucioneve të arsimit të lartë nga Maqedonia që marrin pjesë aktive në program është vazhdimisht në rritje dhe më vjen mirë që aktualisht jemi koordinatorë të 4 rrjeteve akademike. E mbështesim iniciativën për përfshirjen e vendeve të reja, dhe dua të njoftoj se këtë vit kemi rritur kuotën e mobilitetit dhe kemi ndarë 150 bursa për qëndrime jashtë vendit", theksoi Ivanovska.
Maqedonia, si nënshkruese e marrëveshjes me Shqipërinë, Austrinë, Bullgarinë, Bosnje-Hercegovinën, Kroacinë, Republikën Çeke, Hungarinë, Malin e Zi, Poloninë, Moldavinë, Rumaninë, Serbinë, Sllovakinë, Slloveninë dhe Kosovën për të promovuar bashkëpunimin në fushën e arsimit të lartë në kuadër të Programit të Shkëmbimit të Evropës Qendrore për Studime Universitare (CEEPUS III- Central European Exchange Program for University Studies) u mundëson institucioneve të arsimit të lartë për të marrë pjesë si partnerë në gjithsej 127 rrjete nga fusha të ndryshme. Në kuadër të këtyre rrjeteve studentët e ciklit të parë, të dytë dhe të tretë dhe profesorët kanë mundësi të aplikojnë për bursa për qëndrime studimore jashtë vendit, ndërsa konkursi për vitin akademik 2025/2026 është në rrjedhë dhe mund ta shikoni këtu.