Është koha që politika të largohet nga arsimi, sepse nëse do të vazhdojmë kështu nuk do të përparojmë. Nxënësit tanë në testimet PISA dhe TIMSS nuk do të jenë të ranguar ndër të fundit, por të fundit. Propozoni sugjerime konstruktive për paketën e ligjeve e cila duhet të votohet në Kuvend,në vend që të fokusoheni vetëm te gjuha dhe himni. Kështu theksoi ministrja e Arsimit dhe Shkencës Prof. Dr. Vesna Janevska nga foltorja e Kuvendit si përgjigje e pyetjes së deputetes Rina Ajdari.
„ Nuk po potenconi se me ligjet e reja ofrohen më shumë të drejta dhe mundësi për nxënësit dhe mësimdhënësit, se po rregullohet arsimi dual, qendrat rajonale të arsimit profesional dhe trajnim, po avancohet provimi shtetëror i maturës dhe se po zbatojmë mësimin me një ndërrim në shkolla. Duhet të fokusoheni në gjërat thelbësore, në mënyrë që të sigurojmë bazën më cilësore ligjore për arsimim më të mirë”, tha Janevska.
Në pyetjen për mungesën e mundësisë ligjore që autorët e huaj të botojnë tekste në gjuhën shqipe në Maqedoni, ministrja u përgjigj se në vend ka shumë autorë dhe intelektualë cilësorë që mund të përpilojnë tekste dhe shtoi se për të marrë njohuri dhe aftësi cilësore, nuk mjaftojnë vetëm tekstet shkollore, por nevojitet edhe infrastrukturë adekuate dhe kuadër mësimor i përgatitur mirë.
Ministrja potencoi se është humbje e madhe për shtetin që nxënësit tanë posedojnë aftësi të dobëta matematikore dhe nivel të ulët të leximit të të kuptuarit, por se qeveria aktuale ofron ndryshime për sukses dhe prosperitet afatgjatë, të krijuara në bazë të analizave shumëvjeçare të situatës dhe në diskutime me shumë palë të interesuara.