Situata që kemi gjetur në shumicën e konvikteve të nxënësve dhe studentëve e krijuar në kohën e qeverisjes së kaluar, është katastrofike. Në disa prej konvikteve ka indikacione të rënda për krim dhe do të ngrisim procedura përkatëse për të kërkuar përgjegjësi nga drejtorët e mëparshëm, theksoi ministrja e Arsimit dhe Shkencës Prof. Dr. Vesna Janevska, duke iu përgjigjur pyetjes së deputetëve në Kuvend.
“Do të theksoj Konviktin Studentor “Pellagonija” në Shkup, ku nuk ka ujë të ngrohtë dhe ushqim, ndërsa punëtorët nuk kanë marrë rrogë, sepse është krijuar borxh prej 34 milionë denarë. Por ne e parandaluam kolapsin e plotë, ndamë pesë milionë denarë si intervenim, që së paku të paguhen pagat dhe të sigurohet sigurimi shëndetësor”, tha Janevska, duke shtuar se edhe auditori shtetëror ka konstatuar shumë vërejtje për punën e Qeverisë së kaluar në fushën e standardit të nxënësve dhe studentëve.
“Është zbuluar edhe një rast në të cilin drejtori i konviktit ka blerë mish pule me shumicë prej 570 denarë për kilogram, ndonëse çmimi me pakicë në markete ka qenë 270 denarë, ndërsa fëmijët kanë reaguar sërish se nuk kanë marrë ushqim të mjaftueshëm”, informoi ministrja.
Ajo gjithashtu theksoi se i vjen turp për kushtet që ka parë në Konviktin e Studentëve “Llazar Lazarevski” në Veles, ku kapaciteti prej 300 shtretërish është i mbushur me vetëm 100 studentë, sepse pjesa më e madhe e dhomave janë totalisht të rrënuara, si dhe njësitë sanitare.
“Për 5 muaj kemi bërë shumë më tepër se sa ka bërë qeveria e mëparshme për 7 vite. Por jo gjithçka mund të bëhet menjëherë. Ne vazhdojmë të punojmë në interes të të rinjve dhe do të sigurojmë mjete të mjaftueshme për ta”, potencoi Janevska.