Ministria dhe Byroja për Zhvillimin e Arsimit për herë të parë këtë vit kanë krijuar program për nxënësit nga klasa e shtatë deri në klasën e nëntë, sipas të cilit secili nxënës është i detyruar të marrë pjesë në aktivitete të dobishme shoqërore me gjithsej 30 orë në vit. Këto aktivitete synojnë të zhvillojnë ndërgjegjësimin e komunitetit, përgjegjësi ndaj shoqërisë dhe empati mes nxënësve.
Lajmin e ka bërë të ditur ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Prof. Dr. Vesna Janevska në Konferencën e sotme kombëtare për bashkëpunimin ndërmjet Qeverisë dhe sektorit civil, organizuar nga Civika Mobilitas me mbështetjen e Ambasadës Zvicerane.
„ Programi përfshin vullnetarizëm dhe bashkëpunim me organizata qytetare dhe përmes këtij lloj angazhimi nxënësit do të mësojnë se si të kontribuojnë për të mirën e komunitetit, e cila është e rëndësishme për zhvillimin e tyre personal dhe përgjegjësinë qytetare”, tha Janevska, duke shtuar se nga viti i ardhshëm do të zhvillohet program për aktivitete të dobishme shoqërore për nxënësit e gjimnazit , duke qenë se arsimi i mesëm është në proces të reformimit.
Duke iu përgjigjur pyetjes se si MASH-i planifikon të përfshijë organizatat e shoqërisë civile në zhvillimin , zbatimin dhe monitorimin e Strategjisë së re Kombëtare të Arsimit për vitin 2026, ministrja tha se organizatat e shoqërisë civile tashmë janë të përfshira në proces që i paraprin përpilimit të Strategjisë Kombëtare.
„ Deri tani jam takuar me rreth 50 shoqata qytetare dhe me të gjitha jemi duke diskutuar për sfidat që kanë të bëjnë me ata të cilët i përfaqësojnë si organizata. Për çdo sfidë ne formulojmë përgjigje në formën e masave, projekteve, aktiviteteve, ndryshimeve ligjore etj. Disa prej tyre janë të zbatueshme menjëherë, ndërsa të tjerat do të integrohen në dokumente strategjike siç është Strategjia Kombëtare. “Komunikimi me shoqatat është veçanërisht i rëndësishëm për ne”, shtoi Janevska.
Ajo theksoi se të gjithë faktorët socialë kanë përgjegjësi të barabartë në ndërtimin e sistemit arsimor cilësor dhe për këtë arsye është përkushtuar për bashkëpunim edhe më intensiv me sektorin civil.