Ministrja e Arsimit dhe Shkencës Prof.Dr.Vesna Janevska sot mori pjesë në konferencën përmbyllëse të projektit „Përmirësimi i cilësisë së arsimit” të financuar nga Bashkimi Evropian, ndërsa i orientuar drej zhvillimit profesional të mësimdhënësve, përgatitjes së tyre më të mirë për aplikimin e teknologjive të informacionit dhe komunikimit në mësimdhënie dhe për punën me nxënësit me vështirësi.
„Është jashtëzakonisht e rëndësishme që mësimdhënësit vazhdimisht t`i avancojnë aftësitë e tyre për mësimdhënien dhe bartjen e njohurive te nxënësit. Gjithashtu është e rëndësishme që ata të jenë të përgatitur të pranojnë dhe zbatojnë risitë e TIK-ut në mësimdhënie dhe të dinë se cila është qasja dhe mënyra më e mirë për të punuar me nxënësit me vështirësi. Ndërsa ky projekt i`u mundësoi pikërisht këtë mbi 9.000 mësimdhënësve të cilët besoj se do të japin vlerë shtesë projektit, me bartjen e njohurive të fituara kolegëve të tyre”, theksoi Janevska.
Ministrja theksoi se është mirënjohëse ndaj BE-së, që në asnjë moment në të kaluarën nuk e la vendin tonë vetëm për të luftuar me sfidat e rrugës së zhvillimit dhe siç u shpreh, jam e sigurt se kjo mbështetje në fushën e arsimit do të vazhdojë edhe në të ardhmen.
“Falënderoj të gjithë pjesëmarrësit në realizimin e projektit dhe besoj se rrugët tona do të mbeten të kryqëzuara. Kemi ende shumë punë për të bërë së bashku. Planet e Qeverisë janë të mëdha dhe me këtë energji dhe unitet jam e sigurt se do t`i realizojmë”, shtoi Janevska.
Ajo theksoi se për vitin e ardhshëm është planifikuar buxhet më i madh për arsimin deri më tani, prej 40 miliardë denarë, me të cilin do të avancohen planet dhe programet mësimore në arsimin fillor dhe të mesëm, do të rriten pagat e punëtorëve në shkolla dhe fakultete, do të përmirësohet infrastruktura arsimore si dhe do të përmirësohen kushtet e punës së punonjësve mësimor-shkencor.