Ministria e Arsimit dhe Shkencës informoi se është përgatitur propozim Ligj i ri për tekstet shkollore në arsimin fillor dhe të mesëm, i cili nga sot është ngarkuar në sistemin RKER të qeverisë (Regjistri Kombëtar Elektronik i Rregulloreve) dhe të gjithë qytetarët e interesuar mund të japin kontributin e tyre në miratimin e versionit më të mirë i cili do të përcillet në procedurë parlamentare.
Në propozim të ligjit janë integruar sugjerime të shtëpive botuese në Maqedoni me përfaqësuesit e të cilave, udhëheqësia e MASH-it dhe të Shërbimit Pedagogjik, kishin takim pune konstruktiv.
Ligji i ri duhet të sigurojë përgatitjen e teksteve shkollore me përmbajtje më cilësore, reduktimin e probabilitetit të paraqitjes së gabimeve, siç ishin të evidentuara deri vonë dhe për të thjeshtuar procedurën e prokurimit, me qëllim dorëzimin në kohë të teksteve shkollore në shkolla.
Zgjidhja aktuale ligjore është në fuqi që nga viti 2008.