Pas angazhimit intensiv prej dekadash të vendit për të rikthyer cilësinë dhe vlerën e shkollave të mesme profesionale dhe për të riafirmuar sistemin informal të trajnimit sot me krenari mund të themi se kemi sistem bashkëkohor dhe atraktiv të arsimit profesional dhe trajnimit theksoi ministrja e Arsimit dhe Shkencës në eventin final të projektit „Rritja e atraktivitetit, rëndësisë dhe gjithëpërfshirjes së arsimit profesional dhe trajnimit dhe arsimit të të rriturve”, i cili gjatë tre viteve të fundit u implementua me mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian.
„ Sot shkollat e mesme profesionale i kemi përplot me nxënës, ku mësojnë më shumë se 70% e numrit të përgjithshëm të nxënësve të shkollave të mesme në vend. Pjesa më e madhe e objekteve shkollore janë të pajisura mirë, ndërsa disa janë duke u pajisur për momentin. Programet mësimore janë reformuar dhe ofrojnë më shumë trajnime praktike në zbatimin e të cilave janë të përfshira mbi 550 kompani, ndërsa sistemi i bursave ofron më shumë se 1500 bursa për nxënësit që zgjedhin arsimin e mesëm profesional”, theksoi Janevska, duke theksuar se këto janë rezultate të rëndësishme të cilat janë arritur në bashkëpunim me partnerë të shumtë vendas dhe ndërkombëtarë.
„ Padyshim që gjatë tre viteve të kaluara ka qenë e rëndësishme mbështetja nga ekipi i projektit IPA për përforcimin dhe afirmimin e arsimit të mesëm profesional dhe trajnimit dhe arsimit të të rriturve. Edhe pse ai po përfundon, bashkëpunimi ynë me drejtuesin e projektit dhe ekipin nuk do të përfundojë. Sepse ne kemi ende detyrime për të cilat presim ndihmë, sikurse ato nga Plani i Rritjes së BE-së për Ballkanin Perëndimor, ku është theksuar qartë rëndësia e arsimit”, thekson ministrja.
Ajo rikujtoi se aktualisht po punohet për avancimin e legjislacionit i cili rregullon arsimin e mesëm, arsimin profesional dhe trajnimin si dhe arsimin e të rriturve dhe se është me rëndësi të madhe që të bëhet përmes procesit gjithëpërfshirës për realizueshmërinë praktike dhe efektivitetin e lartë në të ardhmen.
"Profesionalizmi dhe ekspertiza Juaj do të thotë shumë për ne në ngritjen e mëtejshme të tre qendrave të reja dhe në zhvillimin e pesë qendrave ekzistuese rajonale për arsimin profesional dhe trajnimin”, potencoi ministrja, duke falënderuar projektin dhe Bashkimin Evropian për kontributin në avancimin e sistemit arsimor të Maqedonisë dhe harmonizimin e tij me tregun e punës.