Një nga qëllimet themelore strategjike të Qeverisë është ndërtimi i sistemit arsimor më cilësor dhe për këtë qëllim është planifikuar rritje e mjeteve buxhetore. Por sado që të rriten mjetet që investojmë në arsim, nëse nuk rritet efektiviteti dhe efikasiteti i shpenzimeve, atëherë nuk do të mund të arrijmë rezultatet e dëshiruara.
Kështu theksoi ministrja e Arsimit dhe Shkencës Prof. Dr. Vesna Janevska në konferencën e sotme “Arsimi i udhëhequr nga nevojat reale të nxënësve –investim inteligjent në kuadrin mësimor dhe në infrastrukturë", organizuar nga Ministria e Arsimit, UNICEF, Banka Botërore dhe Shoqata për Kërkime dhe Analiza - ZMAI, fokusi i së cilës ishte procesi i optimizimit të rrjetit shkollor.
„ Ministria e Arsimit dhe Shkencës, me mbështetjen e UNICEF-it dhe Bankës Botërore, në bashkëpunim me komunitetet lokale, natyrisht edhe me Shoqatën për Kërkim dhe Analizë ZMAI, po zbaton procesin e optimizimit të rrjetit shkollor, duke filluar nga shkollat fillore. Qëllimi ynë është që të shfrytëzojmë më mirë burimet e kufizuara financiare dhe njerëzore në mënyrë që të mundësojmë mësimdhënie më cilësore në të gjitha shkollat, si dhe arritje më të mira të nxënësve”, tha Janevska.
Ajo informoi se bazuar në analizat serioze që mbulojnë të gjitha komunat, përcaktohet se sa funksional është rrjeti i shkollave - sa dhe ç`farë shkollash ka, sa është numri i nxënësve dhe mësimdhënësve, çfarë duhet bërë në secilën komunë dhe në çdo rajon për të siguruar arsim më cilësor. Siç u shpreh ajo , ekzistojnë shkolla ku mësojnë pak fëmijë, të izoluar nga bashkëmoshatarët e tyre, pa mjete moderne vizuale ose në objekte shumë të vjetra që nuk i plotësojnë as standardet minimale arsimore, por për ato paguhet edhe kuadri mësimor, shpenzimet e përgjithshme, shpenzimet e mirëmbajtjes.
„ Duam ta ndryshojmë këtë situatë në interes të nxënësve. Optimizimi do t`i ndihmojë nxënësit të kenë qasje në shkollat me kushte më të mira për mësim të cilat plotësojnë standardet kombëtare për hapësirën shkollore, pajisjet dhe mjetet mësimore. MASH-i së bashku me BZHA-në punuan për përditësimin e standardeve ekzistuese për t`iu përgjigjur trendeve bashkëkohore sipas nevojave të nxënësve. Ata do të kenë transport dhe ushqim falas dhe më e rëndësishmja – një mundësi të drejtë për të mësuar si fëmijët e tjerë”, theksoi ministrja, duke shtuar se në procesin e optimizimit shfrytëzohen përvojat ndërkombëtare.
Optimizimi nuk do të lërë asnjë mësimdhënës pa punë. Çdo mësimdhënës do të angazhohet në kuadër të qëndrimit të zgjatur të nxënësve në shkollë dhe angazhimit me veprimtari mësimore dhe jashtëmësimore për të përvetësuar njohuri, shkathtësi dhe aftësi.
“Gjatë periudhës së kaluar 10 komuna përgatitën plane të detajuara për optimizimin e rrjetit të shkollave dhe për këtë qëllim janë bërë konsultime me të gjitha palët e interesuara duke përfshirë nxënësit, prindërit, kuadrin shkollor dhe administratën komunale. Në periudhën në vazhdim ky proces do të vazhdojë edhe në 22 komuna të tjera ”, potencoi ministrja.
Gjatë përgatitjes së programeve vjetore për rikonstruksionin dhe ndërtimin e shkollave, në të ardhmen MASH-i do t`i japë përparësi investimeve të nevojshme për zbatimin e planeve të optimizimit.