Komisioni Kombëtar i teksteve shkollore ka përbërje të re. Në bazë të Ligjit për Tekstet Shkollore për Arsimin Fillor dhe të Mesëm, Qeveria emëroi Prof. Goce Cvetanovski, Dr. Bilall Shahini, Prof. Slagjana Brsakoska, Dr. Agim Rexhepi, Prof. Sasho Tatarçevski, Prof. Dr. Ana Gaceva, Prof. Dr.Luben Tevdovski, Prof. Nikolla Minov dhe Ilmi Bislimi, për anëtarë të rinj të Komisionit.
Ministria e Arsimit dhe Shkencës dhe Shërbimi Pedagogjik presin që përbërja e re e Komisionit të intensifikojë dhe avancojë procesin e miratimit të teksteve shkollore në arsimin fillor dhe të mesëm dhe të jetë filtri kyç në sigurimin e mjeteve bazë cilësore për përvetësimin e materjes mësimore.
Komisioni Kombëtar i teksteve shkollore ka disa kompetenca konform Ligjit për Tekstet Shkollore në Arsimin Fillor dhe të Mesëm, ndër të cilat më kryesoret janë sjellja e vendimeve për miratimin dhe përdorimin e teksteve shkollore në arsimin fillor dhe të mesëm, formimi i komisioneve recensuese për dorëshkrimet e teksteve shkollore dhe diskutimi për vlerësimet profesionale të dorëshkrimeve për tekstet shkollore në lëndët përkatëse.