Faza e parë e rikonstruksionit të Konviktit Studentor "Kuzman Josifovski - Pitu" në Shkup pothuajse ka përfunduar, janë çmontuar mobiliet dhe zdrukthtaria e vjetër, instalimet elektrike dhe hidraulike, sistemi i ngrohjes e kështu me radhë. Dinamika është në përputhje me marrëveshjen e lidhur, e cila parasheh përfundimin e aktiviteteve brenda një viti e gjysmë. Për këtë ka bërë të ditur sot ministrja e Arsimit dhe Shkencës Prof. Dr. Vesna Janevska, e cila mbikqyri aktivitetet e rikonstruksionit.
“Bëhet fjalë për rikonstruksion të thelluar, gjegjësisht ky objekt si gjithë objektet e tjerat duhet të shndërrohet me efikasitet energjetik, me fasadë të re, dritare, instalime, sanitare, sistem të ri për ngrohje etj, si dhe do të pajisen edhe dhomat për studentët me nevoja të veçanta”, theksoi Janevska, duke shtuar se së shpejti pritet që të lëshohen lejet e nevojshme nga Qyteti i Shkupit dhe Komuna e Gazi Babës për të filluar rikonstruksioni i konviktit të dytë studentor - "Stiv Naumov" në Autokomandë.
“Për rikonstruksionin e këtyre dy konvikteve dhe konvikteve të tjera shtetërore për studentë në Shkup, Prilep, Manastir, Shtip dhe Ohër, është siguruar buxhet prej 25 milionë euro nga Banka Gjermane për Zhvillim dhe Programi Rajonal për Efiçiencë të Energjisë për Ballkanin Perëndimor të Bashkimit Evropian”, theksoi ministrja.
Objektet do të mbyllen me faza dhe do të renovohen, dhe duke pasur parasysh se tani dhe gjatë viteve në vijim do të shpallen konkurse për akomodimin e studentëve në objektet shtetërore akomoduese, Janevska theksoi se të rinjtë nuk do të lihen të gjinden, por për cilindo që i plotëson kushtet në bazë të konkursit, do t`i ofrohet akomodim alternativ në konvikte ku interesi është më i ulët, por edhe në konviktet e nxënësve ku ekszistojnë kushte të mira për akomodim dhe qëndrim. Procesi i aplikimit premtoi se do të jetë plotësisht transparent.