Nëse e rregullojmë të gjithë sistemin arsimor deri në regjistrimin në fakultet në afat nga një deri në dy vite, nuk do të ketë nevojë të futet provimi pranues për regjistrimin në institucionet e arsimit të lartë. Nëse bëjmë analizë, dhe punojmë me prindërit dhe mësimdhënësit për të vlerësuar ekuivalencën e njohurive, nxënësit t’i nënshtrohen provimit të maturës ashtu siç duhet, nuk do të kemi nevojë për provime pranuese, sepse përpjekje të dyfishta apo vlerësim të dyfishtë nuk duhet të ketë, do të mjaftonte njëra.
Kështu ka thënë ministrja e Arsimit dhe Shkencës Prof. Dr. Vesna Janevska, në intervistë për agjencinë e lajmeve Meta, duke iu përgjigjur pyetjes nëse do të futen provimet pranuese në fakultete.
- Matura është futur si një mjet që do të rumbullaksojë njohuritë në arsimin e mesëm dhe i cili duhet t`i rangojë nxënësit për të ditur se cilat janë arritjet e tyre, nëse janë të shkëlqyer, nëse kanë mundur të bëjnë më mirë apo nëse kanë lëshuar diçka, por edhe t`i orientojnë drejt profesioneve të caktuara. Në Bashkimin Evropian, provimi i maturës është mjet i cili u mundëson për të përcaktuar disa studime të mëtutjeshme akademike, tha Janevska, duke shtuar se tek ne fatkeqësisht, i gjithë arsimi, si fillor ashtu edhe i mesëm, nuk ofron njohuri, shkathtësitë dhe kompetencat të cilët nxënësit duhet t`i posedojnë.
Ky problem është multifaktorial, theksoi Janevska, duke theksuar se nuk mund të fokusohemi vetëm te nxënësit, vetëm te mësimdhënësit apo prindërit, këtu ka shumë faktorë që ndikojnë.
- Duhet t`i përcaktojmë ata faktorë ndikues, por një gjë është shumë e qartë notat e nxënësve tanë nuk janë ekuivalente me njohuritë e tyre. Të gjithë nxënësit tanë kanë pesa, ndërsa njohuritë e tyre janë nga dyshi deri në pesë. Kjo është një mënyrë shumë e keqe për të edukuar dhe arsimuar fëmijët. Këtë vit kur ndërmorëm masa më të repta për provimin e maturës, gjegjësisht kontrollin e maturës, notat mesatare të provimit të maturës kanë rënë në krahasim me vitet e kaluara, tha ministrja.