Ekspertë, profesionistë, politikëbërës dhe partnerë tanë nga vendet dhe institucionet e ndryshme do të flasin për hapat e jashtëzakonshëm që kemi ndërmarrë deri më tani në ngritjen e sistemit i cili rregullon marrjen dhe përdorimin e kualifikimeve në vendin tonë, sistem që mundëson transparencën, aksesueshmërinë dhe kalueshmërin e tyre. Pas një dekade funksionimi të Kornizës Kombëtare të Kualifikimeve, presim që ekspertët e shquar të japin edhe udhërrëfyes për ardhmërinë e tyre bazuar në trendet dhe praktikat më të fundit, tha zëvendësministri i Arsimit dhe Shkencës Agim Nuhiu në konferencën ndërkombëtare duke shënuar10-vjetorin të Kornizës Kombëtare të Kualifikimeve.
Jetojmë në kohë të lëvizshmërisë së jashtëzakonshme të punonjësve , sikurse për vendet e punës brenda një ekonomie, por edhe drejt ekonomive të ndryshme. Nga ana tjetër, punëdhënësit janë në luftë të ashpër për punëtorë cilësorë. Këto dy procese kryqëzohen në një pikë – kualifikimet dhe mundësia e mirëkuptimit dhe njohjes së tyre të lehtë kombëtare dhe ndërkombëtare. Këtu paraqitet Korniza Kombëtare e Kualifikimeve dhe nevoja për ta kalibruar atë sa më saktë që të jetë e mundur, me qëllim të evidentimit të saktë të njohurive, shkathtësive dhe aftësive të punëtorit, theksoi Nuhiu.
Zhvillimi dhe zbatimi i Kornizës Kombëtare të Kualifikimeve është një nga prioritetet strategjike të vendit. Qëllimi i së cilës është të jetë mjet i fuqishëm për përmirësimin e efektivitetit, aksesit dhe cilësisë së sistemit arsimor, duke njohur dhe vlerësuar gjithçka që një nxënës ka fituar përmes mësimit formal dhe joformal, duke u mundësuar nxënësve të lëvizin më lehtë ndërmjet niveleve të ndryshme të të mësuarit dhe institucioneve të ndryshme arsimore, ndërsa duke vendosur standarde dhe pritshmëri të qarta për rezultatet e të mësuarit, për të ndihmuar nxënësit të marrin arsim cilësor.Duke njohur aftësitë dhe njohuritë e fituara në të gjitha fazat e jetës, Korniza Kombëtare e Kualifikimeve inkurajon individët që të vazhdojnë të mësojnë gjatë gjithë jetës së tyre, duke promovuar të mësuarit të përjetshëm.
Zëvendësministri i Arsimit dhe Shkencës Nuhiu falënderoi partnerët nga Lituania, Sllovenia dhe Franca të cilët morrën pjesë në Tvining projektin për të mbështetur zbatimin e Kornizës Kombëtare të Kualifikimeve.
Në Konferencë marrin pjesë përfaqësues të Delegacionit të BE-së në Shkup, Fondacioni Evropian i Trajnimit, Oda Ekonomike e RMV-së, Qendra Evropiane për Zhvillimin e Trajnimit Profesional, Agjencia Kombëtare për Programet Evropiane të Arsimit dhe Mobilitetit Erasmus+, Qendra për Arsim dhe Trajnim Profesional QRATP, përfaqësues të kornizës sllovene të kualifikimeve dhe të Regjistrit Slloven të Kualifikimeve, si dhe të studentëve.