Dita Botërore e Mësuesit është një rast i mirë që edhe një herë të falenderojmë të gjithë mësuesit, arsimtarët dhe profesorët për punën e vështirë dhe të përgjegjshme në të cilën ata investojnë çdo ditë - edukimin dhe arsimimin e fëmijëve tanë. Me fuqinë për të zgjuar kurreshtjen dhe për të ngjallur një pasion për përvetësimin e njohurive të reja, ato hapin rrugën që nxënësit të realizojnë potencialin e tyre të plotë. Dhe çdo nxënës sot, është ndërtuesi i së nesërmes i këtij vendi. - kështu theksoi ministri i Arsimit dhe Shkencës, Jeton Shaqiri, në manifestimin e organizuar nga Lidhja e Arsimtarëve me rastin e 5 shtatorit, Ditës Botërore të Mësuesit, në shkollën fillore “Kuzman Josifovski – Pitu” në Shkup.
Duke folur për rëndësinë e profesionit të mësuesit, ministri Shaqiri tha se një mësues i mirë duhet të zotërojë njohuri dhe aftësi në mënyrë që të jetë prind i dytë për të gjithë nxënësit e tij dhe në të njëjtën kohë udhërrëfyes i tyre nëpër botën e dijes, zbulues dhe udhëzues i aftësive dhe talenteve të tyre, por dhe mbrojtje e besueshme sa herë që nevojitet.
"Për ti përmbushur të gjitha këto në një kohë e cila është jashtëzakonisht dinamike, mësuesit gjithashtu duhet të mësojnë. Ministria e Arsimit dhe Shkencës dhe Byroja për Zhvillimin e Arsimit i kushtojnë vëmendje të veçantë realizimit të trajnimeve të akredituara, në bashkëpunim me institucionet dhe organizatat vendase dhe ndërkombëtare. Është obligim ligjor që çdo mësimdhënës në një periudhë tre vjeçare të kalojë 60 orë trajnim prej të cilave 40 orë janë trajnime nga programe të akredituara”, tha Shaqiri.
Ai rikujtoi mbështetjen e vazhdueshme të Qeverisë dhe Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës për vlerësimin dinjitoz të profesionit të mësuesit. Paga e shtatorit e të punësuarve në shkollat fillore dhe të mesme është më e lartë për 15%, dhe vetëm në periudhën e kaluar njëvjeçare pagat janë rritur kumulativisht për mbi 35%.
Për angazhimet dhe kontributin e jashtëzakonshëm në avancimin e veprimtarisë arsimore, Ministri Shaqiri ka vlerësuar 10 edukatorë të arsimit parashkollor, fillor dhe të mesëm me çmimin Edukatori i Vitit për vitin akademik 2022/23.