Sigurimi i teksteve shkollore për nxënësit e shkollave fillore dhe të mesme si proces në kompetencë të disa institucioneve dhe organeve, nën koordinimin e Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, ka avancuar dukshëm këtë vit. Kjo konfirmon faktin se përmes blerjes së teksteve shkollore për të cilat ministria nuk zotëron të drejtat e autorit dhe përmes shtypjes së atyre që janë në pronësi të Ministrisë së Arsimit, deri më tani në vitin 2023 është siguruar një tirazh prej 1.374.324 tekstesh. Mbi 98% e tyre tashmë janë shpërndarë.
Për krahasim, 5 vite më parë, pra në vitin 2018, janë blerë 823 604 tekste shkollore. Në vitin 2019 u ble një tirazh prej 655.934 tekstesh shkollore, në vitin 2020 gjithsej 732.634 tekste. Në vitin shkollor 2021/2022 janë blerë gjithsej 748.421 tekste shkollore. Të dhënat tregojnë se teksti shkollor, si një nga mjetet bazë për përvetësimin e materialit mësimor në të gjitha lëndët, është dukshëm më i aksesueshëm, për dallim nga vitet e mëparshme.
Njoftojmë se tekstet shkollore nga klasa e parë deri në të pestën, për të cilat Ministria e Arsimit zotëron të drejtat e autorit, këtë vit janë shtypur dhe dorëzuar plotësisht nëpër shkolla, si dhe tekstet nga klasa e shtatë deri në të nëntën, të cilat nga ana tjetër, janë në pronësi të shtëpive botuese. Për klasën e gjashtë janë miratuar tekstet e shkencave natyrore, të gjuhës maqedonase dhe shqipe, shpërndarja e të cilave do të përfundojë gjatë javës së ardhshme. Është miratuar edhe teksti i matematikës dhe pas përfundimit të procedurave ankimuese do të mundësohet printimi dhe dorëzimi i tij.
Është e rëndësishme të theksohet se pas 15 vitesh, për herë të parë janë siguruar tekste të reja për 150 lëndë në arsimin e mesëm profesional, por edhe në atë të mesëm. Gjithashtu ato printohen dhe dërgohen në shkolla me faza, sipas nevojave të shprehura përmes aplikacionit elektronik të ministrisë, para fillimit të vitit shkollor.
Teksti shkollor është një nga mjetet mësimore që përdoret për arritjen e qëllimeve të procesit arsimor dhe duhet të mundësojë arritjen e standardeve kombëtare të dijes, të nxënit me të kuptuar dhe ngritjen e kreativitetit, inovacionit dhe të menduarit kritik tek nxënësit. Prodhimi i një teksti cilësor është një proces kompleks që varet nga disa faktorë, të pavarur nga ndikimi sistemik. Mirëpo, Ministria e Arsimit dhe Kulturës do të vazhdojë edhe në të ardhmen t`i zbatojë kompetencat e saj në kohën e duhur, në përputhje me rregulloren ligjore dhe të angazhohet për sigurimin e teksteve cilësore për të gjithë nxënësit.