Detyra e arsimit, në kohë me shumë sfida, është akoma më e rëndësishme - jo vetëm t`i mësojë dhe motivojë fëmijët të fitojnë njohuri dhe aftësi të reja, por edhe t`i ndërtojë si persona pa paragjykime, tolerantë dhe gjithëpërfshirës, qytetarë që respektojnë ata që janë të ndryshëm nga vetvetja dhe nuk i nënshtrohen stereotipeve, tha ministri i Arsimit Jeton Shaqiri në shkollën fillore të Gostivarit "Bashkimi", ku mësimi zhvillohet në tre gjuhë dhe përfshin fëmijë me zhvillim atipik.
Duke iu uruar nxënësve dhe mësimdhënësve një vit të mbarë shkollor, ministri theksoi se janë dorëzuar shumica e teksteve në arsimin fillor ndërsa shkollat e tjera do t`i marrin pas miratimit të përdorimit të tyre nga Komisioni Nacional i Teksteve Shkollore.
“Të gjithë mësimdhënësit duhet në mënyrë të përkushtuar të realizojnë mësimdhënien ndërsa ne së bashkë me sindikatat përfaqësuese jemi dakorduar për rritje të re të pagave të mësimdhënësve”, ka thënë Shaqiri, duke shtuar se këtë verë janë realizuar projekte të mëdha infrastrukturore, duke përfshirë edhe rikonstruksionin e mbi 50 shkollave dhe ndërtimin e disa objekteve tërësisht të reja, të cilat gradualisht do të vihen në përdorim.
Viti i ri shkollor është edhe një mundësi e re për miqësi të paharrueshme, përfshirje në sporte të ndryshme dhe aktivitete të tjera jashtëshkollore, tha ministri Shaqiri, duke vlersuar se arsimi cilësor nuk varet vetëm nga politikat arsimore dhe zbatimi i tyre, por është shumë e rëndësishme që të gjithë së bashku - institucionet, vetëqeverisjet lokale, shkollat dhe prindërit, të jemi vazhdimisht të ndërgjegjshëm se në qendër të aktiviteteve tona janë fëmijët tanë, të cilët janë e ardhmja jonë dhe e ardhmja e këtij vendi.