Mbështetja e Zvicrës për reformat e sistemit për zhvillimin e aftësive profesionale vazhdon dhe po ia arrin qëllimit që të shkollohen kuadro me aftësi dhe kompetenca që u mundësojnë atyre të bashkohen shpejt në tregun e punës. Me ngritjen e cilësisë së arsimit të mesëm profesional po rritet edhe interesimi tek të rinjtë për konceptin – të mësuarit përmes punës, gjë që vërehet përmes rritjes së vazhdueshme të numrit të nxënësve të regjistruar në arsimin profesional, veçanërisht në paralelet duale.
Kështu theksoi ministri i Arsimit dhe Shkencës Jeton Shaqiri pas takimit me zëvendësambasadorin e Zvicrës në Shkup, Lusien Aegerter, ku diskutuan për avancimin e aktiviteteve të përbashkëta lidhur me arsimin e mesëm profesional. Zëvendësambasadori Aegerter shprehu kënaqësinë që edhe në Maqedoninë e Veriut po realizohet me sukses sistemi zviceran i arsimit profesional, sistem i cili është dëshmuar se krijon kuadër cilësor.
Këtë vit shkollor arsimi dual realizohet në 225 paralele me 2763 nxënës, në bashkëpunim me 450 kompani. Në konkursin për regjistrimin e nxënësve në shkollat e mesme publike për vitin shkollor 2023/2024 janë planifikuar 259 paralele duale me gjithsej 6.475 vende të lira në bashkëpunim me mbi 500 kompani. Për nxënësit e regjistruar në arsimin dual ndahen bursa në vlerë mujore prej 3.500 denarë për 9 muaj të vitit.