Ministri i Arsimit dhe Shkencës, Jeton Shaqiri, sot mbajti takim koordinues me përfaqësuesit e Delegacionit të Bashkimit Evropian në Shkup, ku është diskutuar për tri ligjet e rëndësishme për avansimin e cilësisë së procesit arsimor në vend, të cilat për momentin janë në proces të diskutimit dhe miratimit. Bëhet fjalë për Ligjin për Arsimin e Mesëm, Ligjin për Arsimin dhe Trajnimin Profesional dhe Ligjin për Arsimin e të Rriturve, të cilët duhet të sigurojnë mundësi më shumë dhe më të mirë arsimore për nxënësit e shkollave të mesme, mësimdhënësit, bashkëpunëtorët profesional dhe më të moshuarit të cilët udhëhiqen nga koncepti i mësuarit të përjetshëm.
- Me sjelljen e këtyre zgjidhjeve ligjore, sistemi arsimor në Republikën e Maqedonisë së Veriut do të rrisë cilësinë, ku të njetit do të mundësojnë arritjen e standardeve nacionale në arsim, si dhe përvetësimin e shkathtësive përkatëse tek nxënësit të shkollave të mesme publike dhe profesionale të vendit, si dhe validimin e mësimit joformal dhe informal, si dhe avancimin e procesit të verifikimit të programeve të posaçme për arsimin e të rriturve, theksoi Shaqiri.
Me Ligjin e ri për Arsimin e Mesëm, potencoi Ministri, pritet zhvillimi i kompetencave kyçe tek të rinjtë, të domozdoshme për arsimim të mëtutjeshëm, si dhe zhvillimin e kompetencave profesionale për punësim të suksesshëm dhe përgatitjen e nxënësit për jetë të përgjegjshme në liri, shoqëri civile dhe demokratike.
Me Ligjin e ri për Arsimin e Mesëm, për herë të parë po futet këshillimi i karrierës, këshilltar i karrierës dhe koordinator për arsimin praktik. Fokusi është përvetësimi i aftësive dixhitale, ndërsa janë definuar edhe kualifikimet e fituara pas përfundimit të arsimit të mesëm.
Ligji për Arsimin dhe Trajnimin Profesional Shaqiri theksoi se , për momentin është në fuqi, është sjellur në vitin 2006 ndërsa reforma në arsimin profesional është e lidhur ngushtë me ndryshimet në tregun e punës.
- Nevojat e tregut të punës ndikojnë në formësimin e modelit të arsimit dhe formimit profesional, si sistem që synon krijimin e burimeve njerëzore. Për të mundësuar edukimin profesional në përputhje me nevojat e tregut të punës, me ligjin e propozuar rregullohet koncepti i arsimit dual.Gjithashtu në mënyr shtesë, do të saktësohen dispozitat të cilat kanë të bëjnë me mësimin praktik, me qëllim për të rritur volumin e mësimit praktik, shtoi Ministri.
Gjithashtu Duke qenë se kanë kaluar më shumë se 15 vjet nga sjellja e Ligjit për Arsimin e të Rriturve, Shaqiri potencoi se ka nevojë për sjelljen e një zgjidhjeje të re ligjore.
- Sistemi i validimit të mësimit joformal dhe informal do të mundësojë marrjen e kualifikimeve për personat pa ose me nivel të ulët arsimor ndërsa përmes kësaj do të pritej përfshirja më e madhe e tyre në tregun e punës, me synimin përfundimtar uljen e shkallës së papunësisë në vend, shtoi Ministri.