Shteti mund të jetë krenar që ka më shumë vajza dhe gra me karrierë të suksesshme STEM dhe ato janë modele frymëzuese për të rinjtë që t`i përkushtohen mësimit, shkencës dhe kërkimit. Raporti i fundit i UNESCO-s tregon se vendi ynë është lider në Evropë për nga numri i studiuesve femra. Këtë e theksoi ministri i Arsimit dhe Shkencës Jeton Shaqiri me rastin e ndarjes së bursave për studentet femra nga fakultetet e fushave të shkencës, teknologjisë, inxhinierisë dhe matematikës, në kuadër të programit “Global Engineer Girls”, të cilin grupi Limak e zbaton me mbështetjen e Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës dhe UNDP-së.
“Jam jashtëzakonisht i lumtur që një grup i ri i studenteve femra-bursiste po mbështeten për të hyrë në botën sfiduese të shkencës, teknologjisë, inxhinierisë dhe matematikës. Ne jetojmë në një epokë të robotëve humanoidë, nanoteknologjisë dhe printimit 3-D, në një vend në zhvillim ku është thelbësore të arrish botën e zhvilluar ndërsa kjo mund të realizohet vetëm përmes arsimit dhe shkencës. Prandaj këto fusha të cilat ,janë me rëndësi jetike për vendet që duan të përmirësojnë ekonominë, infrastrukturën dhe sistemin e tyre shëndetësor” theksoi Shaqiri.
Ministri theksoi se me politika konkrete, një sërë masash dhe investimesh, shteti inkurajon sa më shumë vajza dhe gra që të zgjedhin fushat STEM. Ministri gjithashtu rikujtoi se nxënësit e shkollave të mesme të cilët do të regjistrohen në ciklin e parë, të dytë ose të tretë të studimeve në universitete vendase apo prestigjioze të huaja do të marrin bursa dhe mbështetje financiare nga Buxheti i MASH për të studiuar matematikë, fizikë, kimi, informatikë etj.
“Studentët tanë kanë mundësi të shfrytëzojnë bursa për studime dhe qëndrime kërkimore-shkencore edhe në vende të tjera, konform me marrëdhëniet e vendosura dypalëshe dhe marrëveshjet e nënshkruara bashkëpunimi, ndërsa si shtet marrim pjesë aktive në shkëmbimin e studentëve përmes programit ERASMUS. ”, shtoi ministri.
Shaqiri gjithashtu theksoi se Ministria e Arsimit dhe Shkencës gjatë dy viteve të fundit ka rritur dukshëm mbështetjen buxhetore për shkencën dhe kërkimin shkencor, gjegjësisht pas një periudhe të gjatë filloi financimi i projekteve shkencore me interes nacional, gjithashtu u mbështet edhe prokurimi i burimeve të reja laboratorike për nevojat e institucioneve shkencore dhe të arsimit të lartë.
"Programi për zhvillimin e Kombeve të Bashkuara tani më prej shumë vitesh punon me Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës dhe sektorin privat në drejtim të ofrimit të mbështetjes nëpërmjet modeleve specifike të fokusuara në fuqinë punëtore të kualifikuar, si dhe kualifikimin dhe rikualifikimin e tyre . Në këtë drejtim është edhe ky partneritet me iniciativën GEG dhe Grupin Limak, përmes të cilit do të mbështeten studentet femra të regjistruara në fakultetet STEM, si një forcë e re lëvizëse në tregun e punës. Jemi të kënaqur që në Qendrën SkillsNext në Tetovë do të kemi mundësi të ofrojmë trajnime falas për aftësitë e ardhshme, përmes të cilave vajzat do të fitojnë aftësi shtesë për përfshirje më efektive në tregun e punës - theksoi Armen Grigorjan, përfaqësues i përhershëm i UNDP-së në vend.