Ministri i Arsimit dhe Shkencës Jeton Shaqiri, në kuadër të seancës bilaterale ndërmjet Qeverive të Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Republikës së Shqipërisë, firmosi dy Marrëveshje dhe një Program për bashkëpunim me kolegen e tij, ministren e Arsimit dhe Sportit Evis Kushi.
Memorandumi i parë i referohet bashkëpunimit ndërmjet Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës së Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Ministrisë së Arsimit të Republikës së Shqipërisë për korrigjimin/redaktimin gjuhësor të gjuhës shqipe në Republikën e Maqedonisë së Veriut dhe në Republikën e Shqipërisë.
Palët do të bashkëpunojnë për përdorimin e gjuhës standarde shqipe përmes aktiviteteve të përbashkëta në lidhje me korrigjimin/redaktimin gjuhësor të gjuhës shqipe në Republikën e Maqedonisë së Veriut dhe në Republikën e Shqipërisë në fushën e arsimit, shëndetësisë, drejtësisë, mediave, administratës publike dhe fusha të tjera me interes të përbashkët.
Memorandumi i dytë, theksoi ministri, i cili u nënshkrua sot, është Memorandumi i Bashkëpunimit ndërmjet Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës së Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Ministrisë së Arsimit të Republikës së Shqipërisë për aplikimin e gjuhës shqipe të shenjave në Republika e Maqedonisë së Veriut dhe në Republikën e Shqipërisë
- Me këtë Memorandum, obligohemi të angazhohen ekspertë të gjuhës së shenjave për studimin e tij nga grupet e synuara siç janë personat me aftësi të kufizuar në të folur, të shurdhër dhe pjesërisht persona të shurdhër, si dhe për përgatitjen e programeve mësimore në gjuhën shqipe të shenjave, metodologjive për arsimin dygjuhësh për nxënës që nuk dëgjojnë në nivelet e arsimit (parashkollor, fillor, të mesëm dhe të lartë), si dhe promovimin dhe ngritjen e vetëdijes për të drejtat e personave që nuk dëgjojnë në lidhje me mbrojtjen sociale, vlerat e ndihmës dhe kujdesit për personat me shkallë të caktuar të pengesës së të folurit dhe dëgjimit, deklaroi Shaqiri.
- Me qëllim të zhvillimit dhe thellimit të bashkëpunimin ekzistues në fushën e arsimit dhe kërkimit shkencor ndërmjet institucioneve të dy vendeve, jemi të obliguar të mbështesim bashkëpunimin në fushën e arsimit parauniversitar dhe sportit përmes kontakteve të drejtpërdrejta të arsimit parauniversitar dhe institucioneve të sportit, me shkëmbimin e përvojave, teksteve shkollore, tha Shaqiri pas nënshkrimit të Programit për Bashkëpunim.
Në përputhje me programin, vendet nënshkruese pajtohen të shkëmbejnë përvoja në fushën e zhvillimit profesional të mësimdhënësve dhe të promovojnë bashkëpunimin ndërmjet rrjeteve profesionale të mësimdhënësve, përmes formimit të grupeve të punës për vlerësimin, pasqyrimin dhe heqjen e përmbajtjeve nga tekstet shkollore në të cilat ka gjuhë të urrejtjes, diskriminim, pasaktësi dhe shtrembërim të të vërtetave shkencore historike.
- Republika e Maqedonisë së Veriut dhe Republika e Shqipërisë janë zotuar të promovojnë bashkëpunimin në mësimin e gjuhës amtare dhe kulturës së nxënësve nga pakica maqedonase në Republikën e Shqipërisë dhe popullatës shqiptare në Republikën e Maqedonisë së Veriut, shtoi Shaqiri.
Sipas Programit të Bashkëpunimit, studentëve nga të dyja vendet, do t`u ofrohen bursa në institucionet shtetërore të arsimit të lartë për studimin e gjuhës dhe letërsisë maqedonase dhe për mësimin e gjuhës dhe letërsisë shqipe, si dhe bursa për qëndrime studimore. MASH çdo vit do të ndajë nga dy bursa për pjesëmarrje në kursin veror për mësimin e gjuhës maqedonase, i cili mbahet në Ohër, ndërsa Ministria e Arsimit dhe Sportit e Republikës së Shqipërisë do të ofrojë në mënyrë reciproke dy bursa për pjesëmarrje në kursin veror për mësimin e gjuhës dhe letërsisë shqipe në Universitetin e Tiranës.
Programi i bashkëpunimit parasheh shkëmbimin e ekspertëve nga fusha e arsimit, nëpërmjet realizimit të vizitave studimore dhe kërkimore, me ç`rast janë paraparë edhe bursa për studime shkencore-kërkimore dhe bursa për studime pasdiplomike.