Investimi më i mirë që mund të bëjmë sot është investimi në arsim cilësor. Në fund të ditës, përparimi i vendit do të varet nga mënyra se si do t`i edukojmë të rinjtë në këtë vend. Nëse angazhohemi me zell, përparimi do të jetë i pashmangshëm dhe sukseset do të jenë të dukshme. Kështu theksoi ministri i Arsimit dhe Shkencës Jeton Shaqiri në shënimin e gjashtë vjetorit të themelimit të Universitetit “Nënë Tereza”.
- Dituria është fuqi. Arsimi është parakusht për përparim, në çdo shoqëri, në çdo familje. Vetëm të arsimuar, ne mund të jemi të lirë. Edhe pse kjo nuk është aspak detyrë e lehtë, duhet shfrytëzuar çdo mundësi për ngritjen e arsimit shqip në vend, të ndërmerren aktivitete të cilat do të rrisin autonominë e universiteteve, të krijohen kushte dhe mundësi të reja për çdo student, në mënyrë që sa më lehtë të përballen me tregun e punës dhe të jenë konkurrentë të denjë të studentëve nga universitetet europiane dhe universitetet tjera në botë, theksoi Shaqiri.
Duke falënderuar inicijatorët e themelimit të universitetit të parë shtetëror në gjuhën shqipe në kryeqytet, ministri theksoi se është i kënaqur me progresin e vazhdueshëm të arritur në gjashtë vitet e para të ekzistencës së këtij Universiteti.
– Jam i bindur se do të vazhdoni me përkushtimin më të madh dhe trajnim të suksesshëm të studentëve, të cilët do të jenë shtylla e dijes në këtë vend. Mbështetja dhe ndihma e vazhdueshme për realizimin e misionit tuaj nuk do të mungojë në asnjë moment nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës si dhe nga Qeveria. Ne jemi të gatshëm që mundësitë dhe përvojën tonë t`ua vëmë në dispozicion studentëve dhe profesorëve në Universitetin "Nënë Tereza" në Shkup, si dhe në çdo universitet tjetër", u shpreh Shaqiri.