Ministria e Arsimit dhe Shkencës e Republikës së Maqedonisë së Veriut

  / / Shaqiri: Një nga qëllimet e reformave në arsim është orientimi i të rinjve drejt sipërmarrjes dhe inovacionit

Shaqiri: Një nga qëllimet e reformave në arsim është orientimi i të rinjve drejt sipërmarrjes dhe inovacionit

 

Shaqiri: Një nga qëllimet e reformave në arsim është orientimi i të rinjve drejt sipërmarrjes dhe inovacionit

 

 

Maqedonia e Veriut aktualisht po përballet me reformat më të mëdha në sistemin arsimor, të cilat mbulojnë të gjitha segmentet, pra arsimin fillor dhe të mesëm, por edhe arsimin e lartë. Thelbi i këtyre ndryshimeve është të përmirësohet cilësia e mësimdhënies, nxënësit të fokusohen në të mësuarit me kuptim në vend të memorizimit faktik të të dhënave, të fokusohen në përvetësimin e aftësive që janë realisht të nevojshme dhe kërkohen në tregun e punës, duke përfshirë sigurisht aftësitë sipërmarrëse, të cilat mendoj se së bashku me aftësitë dixhitale janë edhe çelësi i suksesit profesional.

 

Kështu deklaroi ministri i Arsimit dhe Shkencës Jeton Shaqiri në panelin kushtuar arsimit në kuadër të Forumit të organizuar me rastin e 100 ditëve të Qeverisë, duke theksuar se ideja është që sistemi arsimor të fillojë të krijojë gjenerata që do të jenë gati për sfidat e vendeve të punës që ndoshta nuk dihen për momentin dhe do të hapen pas 10-20 vitesh.

 

"MASH është e orientuar drejt edukimit ndërmarrës i cili është pjesë e reformës rrënjësore të bazës së sistemit arsimor nacional – arsimit fillor, që po futet përmes të gjitha lëndëve obligative dhe ato zgjedhore, por edhe në aktivitetet jashtëshkollore ku ka mundësi”, tha Shaqiri.

 

Ai rikujtoi se është zhvilluar një Koncept i ri për arsimin fillor i cili e ndryshon tërësisht qasjen e mësimdhënësve në realizimin e mësimdhënies, me më shumë interaktivitet, duke zhvilluar kreativitetin e nxënësve, si dhe se kurrikulat e reja po zhvillohen në disa faza që miratohen në bazë të standardeve kombëtare për arritjet e nxënësve.

“Kemi gjithsej 8 standarde kombëtare për arritjet e nxënësve dhe pikërisht një prej tyre është teknika, teknologjia dhe sipërmarrja. Sipas këtij standardi, nga nxënësit pritet të fitojnë kompetenca që lidhen me aftësinë për të ndërmarrë iniciativa, për të krijuar ide dhe për t`i kthyer idetë në produkte dhe shërbime, për të marrë vendime dhe për të rrezikuar. Nxënësit fitojnë njohuri nga teknologjia, biznesi, edukimi financiar, sipërmarrja", shtoi Shaqiri.

 

Ne duam, tha ai, të përgatisim mirë të rinjtë për nivelin e ardhshëm të arsimit, dhe kjo është shkolla e mesme ku fokusi është arsimi profesional dhe jo vetëm promovimi, por edhe zhvillimi.

 

“Prandaj ne po e prezantojmë konceptin e arsimit të dyfishtë, me pjesëmarrjen e kompanive nga sektori i biznesit në përgatitjen e nxënësve që marrin trajnime më praktike, në kurriz të mësimit të teorisë. Dhe kjo ka një ndikim të madh në zhvillimin e potencialit të nxënësve dhe në orientimin e tyre drejt sipërmarrjes. Të gjitha këto i stimulojmë me bursa studimi që ndihmojnë në orientimin e nxënësve më shumë në arsimin profesional dhe sipërmarrës”, tha Shaqiri.

 

Duke iu referuar investimeve në kushte infrastrukturore, ai tha se këtë vit buxheti për këtë qëllim është rekord dhe arrin në mbi 1 miliard denarë.

 

“Këto janë fonde me të cilat ne vazhdojmë të ndërtojmë shkolla dhe salla të reja sporti, të rindërtojmë objektet ekzistuese, të pajisim, dhe këtu posaçërisht do të përmend blerjen e 265 kabineteve në shkencat natyrore që na nevojiten pikërisht për këtë - për të zhvilluar kreativitetin, idetë dhe inovacionin te të rinjtë. Vetëm për momentin janë duke u ndërtuar 5 objekte të reja shkollore - në Vizbegovë në Butel, në Bllacë të poshtme në Çuçer Sandevë, në Leshnicë në Zhelinë, në Gjorqe po bëhen zgjerime në Hrom dhe Vollkovë... Rreth 40 shkolla janë duke u rindërtuar. Po ndërtohen 4 salla të reja sportive, së shpejti do të fillojmë edhe një tjetër”, informoi Shaqiri.

 

Sipas tij, zhvillimi i sistemit arsimor është në rrugë të mbarë dhe efektet do të ndihen në afat të mesëm, kur të kemi një gjeneratë të tërë që është edukuar në përputhje me të gjitha risitë dhe reformat që po bëhen.

 

 

 

 


11/23/2021
Back to top
Close Offcanvas Sidebar