Komuniteti i biznesit e kupton rëndësinë e përvetësimit të vazhdueshëm të njohurive të reja dhe shndërrimit të tyre në avantazh konkurrues. Krijimi i fuqisë punëtore të kualifikuar është njëkohësisht interesi më i lartë shtetëror, sepse kapitali njerëzor është në thelb të zhvillimit social-ekonomik.
E parë nga ky këndvështrim, dialogu mes pushtetit qendror, pushtetit vendor dhe kompanive, i cili do të zhvillohet në 20 ditët e ardhshme, në të gjitha rajonet e vendit, besoj se do të rezultojë në përcaktimin e saktë të nevojave reale për drejtime të caktuara profesionale, të cilat do t`i hapim në shkollat e mesme profesionale në vitin shkollor 2022/2023. Kështu theksoi ministri i Arsimit dhe Shkencës Jeton Shaqiri në takimin e sotëm me përfaqësuesit e odave dhe bizneseve në kryeqytet.
“Jam i lumtur që në procesin e sigurimit të kuadrit profesional të kualifikuar, të kërkuar në tregun e punës, Ministria e Arsimit dhe Shkencës nuk është vetëm, por ka mbështetjen e plotë të Ambasadës Zvicerane, Platformës për Dialog Publiko-Privat, në të cilat artikulohen interesat e katër odave më të mëdha ekonomike ndërsa këtu janë kompanitë dhe vetëqeverisjet lokale. “Së bashku dhe me përgjegjësi e përshtatim arsimin me nevojat moderne të tregut të punës dhe rikthejmë atraktivitetin dhe vlerën e arsimit të mesëm profesional”, u shpreh ministri Shaqiri.
Ministri gjithashtu potencoi se para fillimit të dialogut social, pyetësorit për interesimin e kompanive për të marrë pjesë në krijimin e klasave duale për vitin shkollor 2022/23, u janë përgjigjur rreth 400 prej tyre, madje rreth 90% e kompanive kanë shprehur gatishmëri për të pranuar nxënës për praktikë.
“Në takimin e sotëm në Shkup do t`i dëgjojmë kërkesat e kompanive për profesionet që u nevojiten dhe do të përcaktojmë mundësitë për themelimin e tyre nga viti i ardhshëm shkollor në shkollat e mesme profesionale.Qëllimi ynë është që sa më shumë kompani të përfshihen në arsimin dual, i cili përmes punës praktikei përgatit nxënësit e shkollave të mesme të përfshihen drejtpërdrejt në punë në një mjedis të njohur pune. “Përveç rritjes së punësueshmërisë së të rinjve, arsimi i mesëm profesional është i kalueshëm edhe kah arsimi i lartë”,potencoi ministri.
Ky është viti i dytë që Ministria e Arsimit dhe Shkencës nis dialog në nivel vendor, të orientuar drejt avancimit të arsimit të mesëm profesional. Në vitin shkollor 2021/22, numri i paraleleve duale është rritur nga 11 në 97, duke përfshirë mbi 200 kompani.Në paralelet duale janë regjistruar 1400 nxënës, ndërsa në arsimin e mesëm teknik janë regjistruar gjithsej 6% më shumë nxënës krahasuar me vitin e kaluar shkollor. Ministria e Arsimit dhe Shkencës, si stimul shtesë për nxënësit e regjistruar në paralelt duale në shkollat e mesme, caktoi bursë mujore në vlerë prej 3.500 denarë.