Maqedonia e Veriut është lider në Evropë sipas numrit të grave hulumtuese të cilat përbëjnë 53% nga numri i përgjithshëm i hulumtuesve në vend, gjë që e vërteton edhe raporti i fundit i publikuar nga UNESCO. I përgëzoj të gjitha vajzat dhe gratë e reja nga kjo hapësirë që kanë vendosur të merren me shkencë. Ato janë një shtyllë e rëndësishme mbi të cilën mbështetet rrjedha dhe progresi i përgjithshëm socio-ekonomik, dhe gjithsesi japin kontribut për zhvillimin global.
Këtë e theksoi ministri i Arsimit dhe Shkencës Jeton Shaqiri në konferencën e sotme të organizuar nga Rrjeti Gratë në Shkencë me mbështetjen e Komunës së Çairit, me rastin e 11 Shkurtit - Ditës Ndërkombëtare të Vajzave dhe Grave në Shkencë, në të cilën morën pjesë bashkëshortja e presidentit Elizabeta Gjorgjievska dhe disa përfaqësues të tjerë të lartë nga vendi dhe rajoni.
Ai tha se gratë shkencëtare meritojnë respekt të veçantë nga shoqëria. Veçanërisht nga institucionet e sistemit të cilat vazhdimisht duhet t’u ofrojnë mundësi më të mira për punë me qëllim që përpjekja e tyre të vlerësohet si duhet, që do të shërbejë si motiv për përpjekje shtesë.
„Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut po bën pikërisht këtë. Vetëm gjatë vitit të kaluar përmes thirrjeve publike janë ndarë rreth 243 milionë denarë mjete buxhetore për të mbështetur realizimin e projekteve kërkimore-shkencore me interes të veçantë publik të realizuara nga institucionet publike shkencore, si dhe për përmirësimin e kushteve të punës të laboratorëve në institucionet e larta arsimore dhe shkencore“, tha Shaqiri.
Ai shtoi se bursat për ciklin e dytë dhe të tretë të studimeve në vend janë një masë stimuluese për krijimin e shkencëtarëve të rinj. Bursat për ciklin e dytë u rikthyen si masë 10 vjet pasi u shfuqizua ndërsa, ato për doktoraturë, u futën për herë të parë si mundësi për të gjithë ata që duan të vazhdojnë studimet në ciklin e tretë.
Poashtu shprehu besimin se trendi i rritjes së vazhdueshme të buxhetit për shkencë do të vazhdojë edhe në të ardhmen.
Ministri tha se Maqedonia e Veriut do të vazhdojë dhe nnë të ardhmen të jetë pjesë e shënimit global të kësaj dite, sepse kjo iniciativë e Kombeve të bashkuara e sensibilizon barazinë gjinore dhe e thekson gatishmërinë e grave të kontribojnë në veprimtarinë shkencore, duke shtuar se vendi ka mbështetur edhe deklaratën e Lubjanës për barazinë gjinore në hulumtim dhe inovacion.