Prioritetet në arsim dhe vazhdimi i përpjekjeve për përmirësimin e cilësisë së sistemit arsimor kombëtar përmes realizimit të përcaktimeve të përcaktuara në programin e punës së Qeverisë dhe Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës janë diskutuar në takimin e parë koordinues ndërmjet ministrit të Arsimit dhe Shkencës Jeton Shaqiri dhe zëvendësministrit të sapoemëruar të MASH Lulzim Aliu, mandati i të cilit filloi sot.
Të dy me pikëpamje identike se arsimi është një fushë që nuk duron vonesa dhe si shtet duhet ta përshtasim sistemin arsimor me tendencat e reja arsimore, si dhe me standardet e cilësisë të imponuara nga vendet e zhvilluara. Ky është një synim strategjik nga përmbushja e të cilit varet shumë përparimi i shoqërisë dhe integrimi në familjen evropiane.
Ministri dhe zëvendësi i tij janë dakord që fokusi duhet të jetë tek ndryshimet në arsimin fillor që është baza e sistemit arsimor, por edhe në promovimin e arsimit të mesëm profesional. Në periudhën e ardhshme së bashku do të intensifikojnë bashkëpunimin me institucionet e arsimit të lartë për të parë nga afër sfidat në punën e tyre dhe për të kontribuar në gjetjen e zgjidhjeve për tejkalimin e tyre. Në fushën e shkencës, fokusi mbetet mbështetja e realizimit të projekteve kërkimore-shkencore me interes publik, por edhe investimi në zhvillimin e resurseve laboratorike.
Lulzim Aliu është profesor në Fakultetin Pedagogjik në Shkup. Ka drejtuar Institutin për Edukim Parashkollor dhe Institutin për Mësim Klasor. Ka përvojë të gjerë në realizimin e projekteve të shumta të karakterit vendor dhe ndërkombëtar për avancimin e disa sferave arsimore, si dhe ka botuar një sërë punimesh shkencore në revista shkencore vendase dhe ndërkombëtare.