Ministri i Arsimit dhe Shkencës Jeton Shaqiri, sot pati një takim pune me ambasadorin e Italisë në Republikën e Maqedonisë së Veriut Andrea Silvestri dhe Marco Pesceteli, përfaqësues për arsimin dhe shkencën nga Ambasada Italiane.
Në takim u bisedua për thellimin e bashkëpunimit të suksesshëm ndërmjet dy vendeve në fushën e arsimit dhe shkencës, por edhe mundësitë për mbështetje dhe shkëmbim të përvojave.
Në takim, ambasadori italian Silvestri përshëndeti vendimin për rihapjen e shkollave. U shkëmbyen përvoja për të gjitha nivelet e arsimit. Gjithashtu ramë dakord që mësimi i gjuhës italiane është gjithnjë e më i rëndësishëm, për të cilin ka një interesim të madh nga studentët.
Në takim, ministri Shaqiri shprehu kënaqësinë për përfshirjen e Ambasadës Italiane në një sërë projektesh në fushën e arsimit, e një ndër to është edhe klasa dygjuhëshe e themeluar për mësim në gjuhën maqedonase dhe italiane, e cila përfshin mbi 20 studentë në gjimnazin “Nikola Karev” në Shkup. Ministri Shaqiri falënderoi gjithashtu qeverinë italiane për mbështetjen e studentëve dhe pedagogëve universitarë për mobilitet, shkëmbim dhe vizita studimore, gjë që në periudhën e ardhshme hap mundësinë e rritjes së numrit të bursave studentore, në bashkëpunim me universitetet italiane, për programe të caktuara studimore të cilat për momentin janë deficitare në vend.
Ambasadori shprehu gatishmërinë për të rritur mbështetjen me resurse të formave të ndryshme për të bërë më prezent mësimin e gjuhës italiane në shkollat fillore dhe të mesme.