Ministri i Arsimit dhe Shkencës Jeton Shaqiri ka intensifikuar komunikimin e drejtpërdrejtë me kryetarët e komunave në vend, me qëllim të njohjes me sfidat lokale në fushën e arsimit dhe që bashkërisht të gjendet zgjidhje për tejkalimin e tyre në interes të nxënësve, mësimdhënësve, dhe punonjësve të tjerë në shkollat fillore dhe të mesme.
Në këtë drejtim ishte edhe takimi i sotëm me kryetarin e Komunës së Tearcës, Nuhi Neziri, ku u bisedua për gjendjen në shkollat e kësaj komune dhe sfidat me të cilat ballafaqohen gjatë punës në fillim të gjysmëvjetorit të dytë të vitit shkollor 2021-2022.
Kryetari Neziri ka thënë se reagimet më të mëdha në gjysmëvjetorin e parë kanë qenë nga nxënësit dhe punëtorët e shkollës fillore “Faik Konica” në fshatin Odër, për shkak të mosfunksionimit të sistemit të ngrohjes, por që tani në gjysmëvjetorin e dytë ai problem është tejkaluar plotësisht.
Ministri Shaqiri theksoi se MASH do të mbetet institucion i hapur për bashkëpunim me të gjitha komunat dhe se vetëm me përpjekje të përbashkëta mund të përmirësojmë dukshëm sistemin arsimor nga i cili varet krijimi i gjeneratave të ardhshme dhe më cilësore të nxënësve.
Në periudhën e ardhshme, siç tha ai, vëmendje e veçantë do t`i kushtohet infrastrukturës arsimore në disa nga komunat ku nevojat për investime janë vërtet të mëdha për shkak të vjetërsimit të objekteve ku organizohet mësimi.