Mësimi në shkollë është në interesin më të mirë të fëmijëve prandaj këtë vit, nga shtatori, mësimi po zhvillohet me prani fizike të nxënësve, në përputhje me protokollet shëndetësore. Për të mbrojtur shëndetin e fëmijëve dhe shëndetin e tyre, mësimdhënësit treguan përgjegjësi të lartë dhe për këtë arsye përqindja e të vaksinuarve është dy herë më e lartë se mesatarja në nivel shtetëror tha Dushan Tomshiq, këshilltar në Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës, në paraqitje e tij në emisionin “Brifingu i mëngjesit” TV Sllobodna.
“Që nga fillimi i vitit shkollor, numri i nxënësve pozitivë në shkollë në baza ditore varion nga 0,01 deri në 0,03%, që tregon se shkollat duhet të qëndrojnë të hapura, në interesin e të gjithë nxënësve dhe arsimimit të tyre. Mirëpo, Ministria e Arsimit dhe Shkencës është e gatshme që shpejt të kalojë në dy modelet e tjera në përputhje me planinin mësimor dhe situatën e ndryshuar epidemiologjike, përkatësisht të ndryshojë modelin e mësimit në distancë apo të kombinuar, nëse është e nevojshme” shpjegoi Tomshiq, duke shtuar se modeli mund të ndryshojë në tërë vendin, por edhe vetëm në rajonet e caktuara, sipas vlerësimit të autoriteteve shëndetësore dhe vendimit të Qeverisë.
Në pyetjen se çfarë do të ndodhë me mësimdhënësit të cilët nuk janë të vaksinuar, pas propozimit të Komisionit të Sëmundjeve Infektive që punonjësit e sektorit publik duhet të jenë të vaksinuar me të paktën një dozë, të posedojnë test negativ PCR, certifikatë se ka kaluar virusin Kovid-19 ose certifikatë se nuk guxojnë të vaksinohen, Tomshiq u përgjigj se gjithçka që do të vlejë për sektorin publik do të vlejë edhe për punonjësit në arsim.
“Askush nuk detyrohet të vaksinohet. Për momentin ka vetëm rekomandime të Komisionit për Sëmundjet Infektive për të cilat Qeveria do të marrë vendim. Rreth 75% e mësimdhënësve janë vaksinuar, disa prej tyre e kanë kaluar virusin, ndërsa për pjesën tjetër rekomandohet që të vaksinohen në interes të tyre dhe shëndetit të nxënësve. Mënyra e vetme për tu mbrojtur nga virusi është vaksinimi, shkenca e thotë këtë dhe ne nuk mund të veprojmë kundër," tha Tomshiq.
Ai shpjegoi se në vendet evropiane vaksinimi tashmë është përfshirë në ligjet për sigurinë në punë.
I pyetur për kërkesat që secili mësimdhënës duhet të zgjedhë mënyrën e organizimit të orëve, Tomshiq tha se nevojitet zgjidhje sistematike, sepse në sistemin arsimor janë rreth 40 mijë mësimdhënës dhe nëse të gjithë vendosin në mënyrë të pavarur se si do të organizojë mësimet, atëherë do të jetë e vështirë për koordinim dhe ndjekje të procesit arsimor të nxënësve.
Të gjitha këto kërkesa duhet t`i dorëzohen autoriteteve shëndetësore dhe Komisionit për Sëmundjet Infektive dhe në bazë të pretendimeve të argumentuara të ekspertëve të sjellen vendime të tilla.
Ministria e Arsimit dhe Shkencës vijon të ndjek nga afër situatën në lidhje me pandeminë COVID dhe bashkëpunon me autoritetet shëndetësore, me thirrjen që shkollat të qëndrojnë sa më gjatë të hapura në interes të procesit arsimor dhe në interesin më të mirë të nxënësve.