Ministria e Arsimit dhe Shkencës edhe në vitin e ri shkollor 2025-2026 do të angazhojë mediatorë arsimorë romë, masë me të cilën përmirësohet ndjeshëm mbështetja arsimore për nxënësit romë dhe është pjesë e përpjekjeve për avancimin e sistemit arsimor kombëtar të barabartë dhe gjithpërfshirës.
Janë shpallur dy thirrje publike. Njëri parasheh angazhimin e 50 mediatorëve arsimorë romë për mbështetje në arsimin fillor dhe mundëson vazhdimësi të aktivitetit të tyre tashmë disa vite me radhë, ndërsa tjetri shpallet për herë të parë dhe parasheh angazhimin e 35 mediatorëve arsimorë romë në arsimin e mesëm, për të cilën u krijua bazë ligjore me ndryshimet e fundit të Ligjit për Arsimin e Mesëm në prill të këtij viti.
Aplikimi për të gjithë të interesuarit është në mënyrë elektronike përmes portalit e-uslugi.mon.gov.mk dhe fillon nesër, më 1.8.2025, dhe do të zgjasë deri më 1.10.2025.
Ministria e Arsimit dhe Shkencës deri më tani ka zbatuar të gjitha masat arsimore nga Planet e Veprimit në përputhje me Strategjinë Kombëtare për Romët 2022–2030, duke qenë se ato janë të rregulluara ligjërisht dhe të financuara në mënyrë të qëndrueshme përmes buxhetit kombëtar.
Krahas masës për mediatorët , Ministria e Arsimit dhe Shkencës në mënyrë të vazhdueshme siguron edhe 1.200 bursa për nxënës të shkollave të mesme romë në katër kategori, si dhe 150 bursa për studentë romë të rregullt nga institucionet dhe universitetet publike dhe private të arsimit të lartë, për të cilat konkurset për vitin shkollor dhe vitin akademik 2025/2026 janë tashmë të publikuara në ueb faqen www.mon.gov.mk.
Gjithashtu, po ndërmarrim një politikë të re publike për angazhimin e tutorëve për nxënësit romë, në përputhje me nenin 36 të Ligjit për Arsimin Fillor."
Shumat totale të siguruara për zbatimin e këtyre politikave publike arrijnë 50 milionë denarë, që përbën afërsisht 47% të buxhetit të përgjithshëm shtetëror të dedikuar për mbështetjen e komunitetit rom, me çka Ministria konfirmon rolin e saj udhëheqës në zbatimin e politikave arsimore gjithëpërfshirëse dhe të drejta.