Ministria e Arsimit dhe Shkencës e Republikës së Maqedonisë së Veriut

  / Lajme dhe Ngjarje / Firmoset marrëveshje për grant me vlerë 5.5 milionë euro për rinovimin me efikasitet energjetik të konvikteve shtetërore të studentëve

Firmoset marrëveshje për grant me vlerë 5.5 milionë euro për rinovimin me efikasitet energjetik të konvikteve shtetërore të studentëve

 

Firmoset marrëveshje për grant me vlerë 5.5 milionë euro  për rinovimin me efikasitet energjetik të konvikteve shtetërore të studentëve

 

 

Buxheti për realizimin  e projektit për rehabilitimin me efikasitet energjetike të konvikteve shtetërore për studentë  në Maqedoni rritet me 5.5 milionë euro. Bëhet fjalë për  fonde të pakthyeshme të siguruara nga Bashkimi Evropian përmes Kornizës së Investimeve në Ballkanin Perëndimor, përkatësisht përmes Programit Rajonal për Efiçiencën e Energjisë, për të cilin Ministria e Arsimit dhe Shkencës dhe Ministria e Financave sot firmosën  marrëveshje me Bankën Gjermane për Zhvillim.

Granti është dedikuar që të mbulojë pjesë të shpenzimeve për rikonstruimin e katër konvikteve shtetërore për studentë në kuadër të fazës së dytë të projektit - "Nikolla Karev" në Ohër, "Vëllezërit Milladinov" në Shtip, "Orde Çopella" në Prilep dhe "Tome Stefanovski - Seniq" në Shkup, objektet e të cilave do të përmbushin standardet për konsum pothuajse zero të energjisë.

Gjatë firmosjes së marrëveshjes, ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Prof. Dr. Vesna Janevska, tha se të rinjtë janë qytetarët më të rëndësishëm të Maqedonisë dhe Qeveria është e përkushtuar t`u sigurojë atyre kushte për arsim, punë dhe jetë të mirë, në mënyrë që ata më pas të mund t`ua kthejnë nderin duke marrë pjesë në zhvillimin e saj. Ndër prioritetet është ndryshimi i imazhit të konvikteve të studentëve të cilat, siç theksoi ajo, janë objekte ku të rinjtë krijojnë kujtimet më të bukura për shumë studentë të çdo brezi.

Me marrjen e këtij granti, buxheti i projektit arrin në mbi 30 milionë euro dhe jam e lumtur që po vazhdojmë me aktivitetet e rikonstruimit në objektet e reja. Pres që punimet ndërtimore në katër konviktet të fillojnë deri në fund të vitit", tha Janevska, duke informuar se konviktet "Kuzman Josifovski - Pitu" dhe "Stiv Naumov" në Shkup janë në proces aktiv rikonstruimi  dhe shumë shpejt do të bëhen moderne dhe me efikasitet energjetik.

Në fazën e tretë janë përfshirë konviktet "Goce Dellçev" dhe "Pelagonia" në Shkup dhe "Koço Racin" në Manastir. Fondet për përfundimin e fazës së dytë dhe të tretë do të sigurohen përsëri në bashkëpunim me Bankën Gjermane për Zhvillim dhe Bashkimin Evropian.

“Nënshkrimi i sotëm i Marrëveshjes së grantit është konfirmim i angazhimit tonë për të krijuar kushte më të mira jetese dhe arsimore për të rinjtë në Maqedoni.

Bëhet fjalë për projekt  i cili nuk është vetëm investim infrastrukturor, por edhe investim në të ardhmen  - në kushte dinjitoze për studentët tanë dhe në kursimin e energjisë në planin afatgjatë”, tha ministrja e Financave, Gordana Dimitrieska-Koçoska, duke shtuar se Qeveria mbetet e përkushtuar jo vetëm për përmirësimin e infrastrukturës publike, por edhe për zbatimin e parimeve të zhvillimit të qëndrueshëm, efikasitetit energjetik dhe mundësive të barabarta për të gjithë studentët.

"Për shkak të valës aktuale të të nxehtit, shumë njerëz po bëhen edhe më të vetëdijshëm për pasojat e ndryshimeve klimatike: kushtet ekstreme të motit, të cilat ndodhin më shpesh dhe zgjasin më shumë, na rëndojnë të gjithëve. Në kuadër të Konferencës për Klimën, qeveritë tona janë obliguar, dyfish ta risin efikasitetin energjetik në mbarë botën deri në vitin 2030. Rinovimi me efikasitet energjetik i konvikteve studentore paraqet kontribut konkret dhe ndihmon drejtpërdrejt në përmirësimin e kushteve të jetesës së të rinjve në qytet. Në këtë mënyrë, po përforcojmë edhe sigurinë energjetike në Maqedoninë e Veriut: sepse çdo kilovat-orë, që do të kursehet, do të thotë se nuk ka pasur nevojë të prodhohet. E gjithë kjo realizohet përmes përpjekjeve të përbashkëta të Qeverisë së Maqedonisë së Veriut, Bankës Gjermane të Kreditit për Zhvillim dhe Rindërtim (KFB) dhe Kornizës së Investimeve për Ballkanin Perëndimor (WBIF) - ky është solidariteti evropian në veprim!" tha Ambasadorja e Republikës Federale të Gjermanisë, Petra Dreksler.

 

Sipas drejtorit të Bankës Gjermane për Zhvillim për Evropën Juglindore dhe Turqinë, Kllaus Miler, përveç përdorimit efikas të energjisë, përfitimi kryesor i këtij programi është përmirësimi i kushteve për qëndrim dhe të të mësuarit.

 

"Shpresojmë sinqerisht që kushtet e përmirësuara do të reflektojnë pozitivisht në sektorin e arsimit përmes rezultateve të përmirësuara të studentëve si dhe do të vendosin standarde të reja për rikonstruksionin e objekteve të këtilla", tha Miller.

 

Gjatë nënshkrimit të marrëveshjes për grant fjalim mbajti edhe Ambasadori Europian Mihalis Rokas, i cili konfirmoi se do të ofrohet mbështetje për zbatimin e mëtejshëm të aktivitetit të investimit.

 

Projekti parashikon efikasitet thelbësor  energjetik të rikonstruksionit të konvikteve shtetërore studentore, me vendosjen e fasadave të reja, dritareve, sistemeve të ngrohjes dhe ndriçimit, me qëllim që të kursehet energji prej 30% deri në 50% në raport me konsumin aktual dhe të sigurohet hapësirë ​​moderne dhe akomoduese për studentët. Krahas  rinovimit me efikasitet energjetik, qëllimi është të ndërhyhet në problemet e mundshme konstruktive të objekteve me qëllim zgjatjen e jetëgjatësisë së tyre dhe përmirësimin e qëndrueshmërisë statike.

 

 

 

Lajme dhe Ngjarje


7/8/2025

7/4/2025
Back to top
Close Offcanvas Sidebar