Maqedonia është nikoqire e Olimpiadës së 29-të Ballkanike të Matematikës për të Rinj, e cila nga sot deri më 28 qershor mbahet në Qendrën Kulturore "Vëllezërit Milladinovci" në Strugë, nën organizim të Unionit të Matematikanëve. Në hapje të garës, ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Prof. Dr. Vesna Janevska, u uroi pjesëmarrësve qëndrim të këndshëm, shumë miqësi të reja dhe suksese në zgjidhjen e detyrave.
"Ju jeni pasuria e vendeve të cilat i përfaqësoni. Tek ju mbështetet një e ardhme e mirë, ndërsa familjet dhe mësimdhënësit tuaj kanë meritë të madhe për këtë. Ne - institucionet dhe politikëbërësit jemi këtu, për të ofruar të gjithë mbështetjen e cila do të mundësojë realizimin e potencialit tuaj të plotë", tha Jaevska.
Në garë marrin pjesë nxënës të talentuar në matematik deri në moshën 15,5 vjeç nga vendet e Evropës Juglindore, ndërsa konform rregullave të Organizatës Ndërkombëtare të Matematikës të Evropës Juglindore, lejohet pjesëmarrja e përfaqësuesve kombëtarë mysafirë edhe nga vende të tjera të cilat nuk janë anëtare të kësaj organizate.
Olimpiada Ballkanike e Matematikës për të Rinj në Maqedoni organizohet për herë të tretë, pasi më parë është mbajtur në vitet 2000 dhe 2014. Organizatori i garës, Unioni i Matematikanëve, për herë të parë këtë vit merr mbështetje financiare nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës.