Me paga më të larta për kuadrin akademik dhe buxhet më të madh për UKM, shënojmë pesëvjetorin e themelimit të Unionit të Sindikatave në Universitetin “Shën Kirili dhe Metodi" - Shkup, theksoi ministrja e Arsimit dhe Shkencës Vesna Janevska në konferencën shkencore "Sfidat e reja në arsimin e lartë dhe lëvizja sindikale", organizuar me rastin e përvjetorit.
“Po ndërtojmë partneritet me sindikatat. Përmes dialogut konstruktiv social arritëm që të rrisim pagat në arsimin e lartë. Që nga janari i këtij viti, pjesa më e madhe e punonjësve në universitetet shtetërore kanë rritje të pagave bruto, duke përjashtuar përvojën e kaluar, me mesatare prej rreth 14%. Për një pjesë më të vogël të të punësuarve, rritja është mesatarisht rreth 8%,” theksoi Janevska.
Buxheti i UKM-it këtë vit është rritur për 1,5 miliardë denarë. Nga 2,2 miliardë denarë në vitin e kaluar, këtë vit arriti në 3,7 miliardë denarë.
“E gjithë kjo tregon se Qeveria dhe Ministria e Arsimit dhe Shkencës janë të vendosura për të bërë hap real përpara në cilësinë e arsimit, përfshirë arsimin e lartë. Prandaj i kemi rritur investimet, por gjithmonë e them qartë se edhe pritjet tona nga komuniteti akademik janë të mëdha”, u shpreh Janevska.
Kjo do të thotë që profesorët universitarë duhet të jenë mentorë të vërtetë për studentët, t`i ndihmojnë ata të fitojnë njohuri dhe aftësi sa më cilësore ndërsa paralelisht dhe në mënyrë të vahdueshme të punojnë në zhvillimin e tyre shkencor dhe të botojnë punime. Janevska potencoi se këto kritere për fitimin dhe mbajtjen e titullit profesor në universitetet e njohura botërore duhet të vlejnë edhe këtu, nëse duam që universitetet tona të jenë të dukshme në listat e më të mirëve. Kështu siç theksoi ajo, nuk është vetëm çështje prestigji, por do t`ju mundësojë studentëve tanë të fitojnë përgatitjen më të mirë për sfidat të cilat do t`i sjellë e nesërmja
Ministrja Janevska kërkoi angazhim të përbashkët të të gjitha palëve relevante për të ndërtuar sistem të arsimit të lartë me programe studimore bashkëkohore, për integrimin e shkencës dhe kërkimit në programet mësimore dhe për përforcimin e bashkëpunimit me komunitetin akademik në vend dhe jashtë vendit.