Të rinjtë të cilët do të regjistrohen në arsimin e mesëm gjimnaz këtë vit, pas dhjetë vitesh do të duhet të njohin inteligjencën artificiale, programimin, matematikën,fizikën si dhe sipërmarrjen për të depërtuar në tregun e punës. Ndërsa ky sistem, i cili nuk është i ndryshuar që nga viti 1995, nuk j`ua mundëson këtë. Prandaj duhen ndryshime dhe në vend të kritikave është mirë të dëgjohen sugjerime dhe propozime konstruktive.
Kështu theksoi ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Prof. Dr. Vesna Janevska në seancën e sotme parlamentare duke iu përgjigjur pyetjes parlamentare lidhur me procesin e miratimit të Konceptit të ri për arsimin e mesëm- gjimnaz.
„Kemi draft versionin e Konceptit dhe për të njëjtën filluam grumbullimin e sugjerimeve elektronike. Do ta diskutojmë gjatë gjithë vitit dhe nëse vendosin deputetët do të organizojmë edhe debat parlamentar. Por fillimisht do të dëgjojmë mendimet e të gjitha palëve të interesuara" tha Janevska, duke shtuar se koncepti do t`u ofrojë demokraci gjegjësisht drejtësi në zgjedhjen e nxënësve.
Ministrja theksoi se e kupton plotësisht frikën e opinionit nga ndryshimi, sepse qeveria e kaluar ka marrë vendime me dekret dhe nuk ka pasur debat të gjerë për konceptet arsimore, duke vënë në dukje konceptin e arsimit fillor për të cilin është organizuar vetëm një debat në Kuvend, pas së cilës është miratuar, pa pasur mundësi për vërejtje.